Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka ngritur shqetësimin e mijërave zyrtarëve publikë lidhur me kompensimin në paga, duke thënë se ka dy muaj që Ligji i Pagave ka hyrë në fuqi, ndërkohë nuk dihet saktë se sa është paga për secilën pozitë. Sipas tij kjo vetëm se ka sjellë paqartësi, pabarazi, por ka krijuar pasiguri të madhe tek ta.
Tutje, Tahiri u shpreh se në këtë kohë krize, përtej halleve ditore, kjo paqartësi është nënvlerësim i punës, e këtu më së shumti preken profesionistët që po zgjedhin ta lënë sistemin publik.
“Në çdo institucion publik, është krijuar atmosferë e zymtë, diskutimi kryesor është se sa është paga, pakënaqësi e dëshpërim. Vendimmarrësit në vend se të shtrijnë komunikimin, kanë vendosur nga muaji në muaj të nxjerrin një arsyetim”.
“Në këtë krizë, përtej halleve ditore, kjo paqartësi është nënvlerësim i punës, e këtu më së shumti preken profesionistët që po zgjedhin ta lënë sistemin publik. Për të arritur një nivel të tillë përgatitje duhet prej 3-5 vjet, e ka raste si në shëndetësi deri në 6-10 vjet. Që i bie, se ne po rrezikojmë funksionet vitale të sektorëve. Me urgjencë, duhet që të procedohen pagat sipas ligjit, të vendoset komunikim e dialog për të siguruar qëndrueshmërinë e sistemit, e për të parë presionin që po vjen nga trendi i largimit të profesionistëve”, u shpreh Tahiri në Facebook.