image Tahiri: Anëtarësimi në KiE e vulos rrugëtimin e qëndrueshëm të Kosovës në BE

Politikë

Tahiri: Anëtarësimi në KiE e vulos rrugëtimin e qëndrueshëm të Kosovës në BE

news image

Shefi i Grupit Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës e vulosë rrugëtimin tonë të qëndrueshëm në BE.

Tahiri ka folur edhe për arsyet pse Kosova duhet të jetë pjesë e këtij institucioni.

“Tash e dy vite të angazhimit tim në delegacionin e Kosovës si anëtar i disa komisioneve dhe pjesëmarrës në grupim politik, e them me përgjegjësi të plotë se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës e vulosë rrugëtimin tonë të qëndrueshëm në BE. Gjatë kësaj kohe, bashkë me kolegë ishim aktivë në komunikim, diskutim dhe argumentim se pse Kosova duhet të jetë pjesë e këtij institucioni”, ka thënë Tahiri.

Ai tha se në Komitetin për Çështje Politike dhe Demokraci theksoi se rrugëtimi i ndërtimit institucional të Kosovës dhe procesi i shtet-ndërtimit është unik, në vijë të plotë me standardet ndërkombëtare.

“Në Komitetin nga i cili vjen edhe raportuesja për përgatitjen e raportit statutor për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në KiE, theksova se pavarësia jonë është e pakthyeshme, ashtu siç është edhe rruga jonë e integrimit euroatlantik. Theksin e vura edhe te nevoja që qytetarët e Kosovës të kanë qasje tek instrumentet e këtij institucioni, sidomos rreth çështjes së të drejtave të njeriut”, tha ai.

/GazetaSinjali/