image Tahiri nga Nju Jork: SHBA-ja ka qenë, është dhe do të mbetet aleat strategjik i Kosovës

Politikë

Tahiri nga Nju Jork: SHBA-ja ka qenë, është dhe do të mbetet aleat strategjik i Kosovës

news image

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se ShBA-ja ka qenë, është dhe përgjithmonë do të mbesin aleati strategjik i Kosovës, qoftë në rrafshin e brendshëm qoftë në rrafshin ndërkombëtar.

Kështu ka thënë Tahiri në përmbyllje të vizitës në ShBA, duke shtuar se marrëdhënia mes dy vendeve është e shenjtë.

“Marrëdhënia me ShBA-në është e shenjtë dhe si e tillë nuk mund dhe nuk duhet të jetë subjekt i diskutimi. Si e tillë, kjo marrëdhënie është pjesë e identitetit shtetëror dhe kombëtar”, ka thënë Tahiri.

Statusi i plotë:

Në përmbyllje të vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku patëm pafund takime konsultative, miqësore si dhe protokollare, dua të ndaj me ju një përmbledhje të përshtypjeve, porosive dhe reflektimeve:

1. ShBA-ja ka qenë, është dhe përgjithmonë do të mbesin aleati strategjik i Kosovës, qoftë në rrafshin e brendshëm qoftë në rrafshin ndërkombëtar.

2. Marrëdhënia me ShBA-në është e shenjtë dhe si e tillë nuk mund dhe nuk duhet të jetë subjekt i diskutimi. Si e tillë, kjo marrëdhënie është pjesë e identitetit shtetëror dhe kombëtar.

3. Anëtarësimi i Kosovës në NATO është interes jetësor kombëtar. Ky proces është një rrugë njëdrejtimëshe, e cila fillon dhe përfundon përmes Uashingtoni.

4. Thellimi i partneritetit me ShBA-në, mes tjerash i shërben avancimit të gjithmbarshëm të Kosovës, sikurse edhe afirmimit të pozicionit në rrafshin multilateral. Formalizimi i këtij partneriteti do të duhej të shënohej përmes një marrëveshje për partneritet strategjik.

5. Qasja vetë përjashtuese dhe mënjanuese e kësaj qeverie, përfshirë këtu edhe mungesën e komunikimit, takimeve dhe koherencës së nevojshme për komunikim të strukturuar me institucionet dhe lidershipin amerikan, po lëndojnë proceset dhe pozicionet e lartcekura. Eksperimentet dhe ekzibicionet e kësaj qeverie në qasjen ndaj ShBA-së, duhet të ndalen, dhe nuk duhet harruar që ato bien në sy, përderisa tolerimi është shenjë respekti i qeverisë amerikane për Kosovën dhe qytetarët e saj.

6. Komuniteti shqiptaro-amerikan ka qenë bartësi dhe shtytësi kryesor i kauzave për të drejtën shqiptare, dhe është koha e fundit që ky komunitet, përfaqësuesit e tij, të konsultohen dhe përfshihen në projektet e thellimit të partneritetit me ShBA-në. Çdo qasje arrogante është shenjë anti shtetërore e cila nuk ka të ardhme në mesin e shqiptarëve, as në Kosovë dhe as në ShBA.

7. Duhet që të gjitha organizimet shqiptare në Amerikë të vazhdojnë ta ndihmojnë Kosovën në të gjitha sferat, sidomos duke ditur në rrethanat nëpër të cilat po kalon Kosova. Institucionet qeveritare të Kosovës duhet të përfshihen aktivisht dhe me kreativitet.

8. Serbia po blen armë prej armiqve të Amerikës, ajo vazhdon të ketë një lobim aktiv në Amerikë, qasje kjo që krijon amulli dhe narrativ negativ për ne.

9. Është koha e fundit për të qenë aktiv dhe të fokusuar në Uashington për të punuar për interesat nacionale përmes ndërtimit të një platforme të qartë të aktiviteteve në Amerikë.

10. ShBA-ja është kompasi ynë politik, i vlerave dhe ‘porti’ ankorues i rrugëtimit tonë dhe i të qenit anëtar i përgjegjshëm i komunitetit perëndimor.

Me Kryetarin Haradinaj, lutja e jonë e mëngjesit dhe e mbrëmjes është:

Zoti e bekoftë ShBA-në!

Zoti e bekoftë Kosovën!

Zoti i bekoftë kombin amerikan dhe kombin shqiptar!

/GazetaSinjali/