image Tahiri-Qeverisë: Infrastruktura rrugore mbeti vetëm në letër

Politikë

Tahiri-Qeverisë: Infrastruktura rrugore mbeti vetëm në letër

news image

Edhe sot ka vazhduar seanca në Kuvendin e Kosovës, për qeverisjen dy vjeçare nga kryeministri Albin Kurti.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së Besnik Tahiri, e ka pyetur ministrin e infrastrukturës dhe zv/ministrin Hysen Durmishi, se përse i kanë gënjyer qytetarët e Podujevës, se rruga Prishtinë Podujevë do të përfundojë për 9 muaj.

“Infrastruktura rrugore mbeti vetëm në letër! Në debatin parlamentar rreth punës dyvjeçare të Qeverisë, një ndër temat kryesore ka qenë infrastruktura rrugore. Në seancë theksova se e kuptoj plotësisht procedurën që e sqaroi ministri për shpronësimin dhe problemet teknike. Por, nuk e kuptoj zv/ministrin, Hysen Durmishi, kur në fushatë zgjedhore iu thotë qytetarëve të Podujevës se për nëntë muaj rruga Podujevë-Prishtinë kryhet. Pastaj, shkon kryeministri e deklarohet për këtë. Jo që kanë kaluar nëntë muaj, por kemi hyrë në vitin e tretë dhe rruga Podujevë-Prishtinë nuk është kryer. Këtu duhet të japin përgjegjësi politike, duke kërkuar falje që kemi qenë në kohë zgjedhjesh. Sa i përket qëndrimit politik, në rregull jemi. Por, jo me përdor mekanizmin qeveritar për një synim puro politik” ka thënë Tahiri.

“Kur flet për rrugët, rruga Prishtinë-Gjilan është iniciuar nga Pal Lekaj, kur ka qenë ministër i Infrastrukturës, rruga Prishtinë-Mitrovicë, po ashtu u nis nga Pal Lekaj. Por, na tregoni për rrugën Kievë-Zahaq, që i keni pasur 200 milionë euro prej BERZh-it, ku janë ato para, pse e keni zvogëluar trasenë e rrugës, pse keni bërë intervenime? Ndërsa, rruga për Brezovicë ka qenë e shtruar, vetëm një shtresë asfalt ka pasur nevojë të shtrohet. Rruga për Malin e Zi, negocimi është kryer në kohën e Pal Lekajt sa ishte ministër”, shtoi ai.

Tutje Tahiri në replikën e tij drejtuar ministrit të infrastrukturës, i tha ta mendojmë që gjithçka është ashtu siç po thoni ju, po a keni menduar të vendosni sinjaizime në rrugën Prishtinë-Podujevë dhe a keni menduar një kërkim falje ta bëni për ata qytetarë të Podujevës dhe për të gjithë diasporën që vijnë përmes asaj rruge të cilët në çdo moment e kanë jetën në rrezik.

“Ministër po e lëmë që po i pranoj të gjitha ato që i the, por a ka mundur të vendosen sinjalizimet në rrugën Prishtinë-Podujevë? A s’ka mundësi një kërkim falje ta bëni për ata qytetarë të Podujevës dhe për të gjithë diasporën që vijnë përmes asaj rruge të cilët në çdo moment e kanë jetën në rrezik.

Nuk mund ta pranojmë faktin, që në kohën e zgjedhjeve deklaroni se do ta përfundoni rrugën për nëntë muaj, ndërsa tani dy vjet e gjysmë të pauzoni. Të paktën sinjalizimin ta bëni”, përfundoi Tahiri.

/GazetaSinjali/