Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Tahiri, tregoi se Kosova është duke përgatitur një përgjigje institucionale ndaj raportit të Parlamentit Evropian, shkruan Gazeta Sinjali.
Tahiri u shpreh se sot është takuar me ministren e MPJD-së, Meliza Haradinaj – Stublla dhe ministrin e Drejtësisë, Selim Selimi. Kurse nesër pret që të takohet edhe me u.d presidenten Vjosa Osmani, që sipas tij të kenë qasje të saktë si shtet për këtë temë.
“Kam biseduar me kryeministrin Avdullah Hoti. Sot kam pasur në takim Ministren e Punëve të Jashtme Meliza Haradinaj-Stublla dhe Ministrin e Drejtësisë Selim Selimi dhe përgjigja institucionale është në përgatitje e sipër. Nesër do të tentoj ta takoj edhe presidenten Vjosa Osmani për këtë temë në mënyrë që ne si shtet të kemi qasje të saktë, përmbajtjesore dhe më pak emocionale.
Shteti e ka për detyrë të ketë reagim të arsyeshëm, përmbajtësor dhe të bazuar në fakte dhe argumente. Nëse e sheh pozicionin që e ka politika është goxha reagim emocional, derisa nëse e sheh reagimin e ekspertëve të kësaj teme ka qëndrime shumë të sakta”, tha Tahiri në Klan Kosova.
Po ashtu, ai tha se Kosova nuk duhet ta trajtojë këtë raport sikur e ka trajtuar raportin e Dick Martyt.
“Nuk guxojmë ta trajtojmë këtë raport sikur që e kemi trajtuar raportin e Dick Martyt që javën e ardhshme bëhen 10 vjet prej kur është prezantuar. Nuk është raport i ngjashëm, por kur kemi raport që vjen nga një institucion shumë serioz, atëherë qasja duhet të jetë shumë serioze. Këtë qasje e kemi marrë ne si qeveri”, tha ai./Gazeta Sinjali/