Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se tema e hapjes së arkivave të UÇK-së, është zhvendosur nga Beogradi në Prishtinë.
Sipas tij, Kosova nuk ka asgjë për të fshehur ngase në shumë procese është dëshmuar pastërtia e luftës.
“Më duket një deklaratë e pabesueshme që deri dje është diskutuar në Beograd të diskutohet edhe në Kosovë”, tha Tahiri.
“Në shumë procese është dëshmuar pastërtia e luftës së UÇK dhe e kemi obligim që t’i mbrojmë këto vlera. Do t’i shohim në vazhdimësi një tendencë të Serbisë që të hap tema të tilla”, tha ai.
Tahiri, gjithashtu ka shtuar se nuk kanë pasur kërkesë për shtyrje të zgjedhjeve.
“Deri më tani PDK-së nuk i është drejtuar asnjë kërkesë për shtyrjen e zgjedhjeve. Ne kemi pas propozim për shkurtim të fushatës. PDK do të jetë pjesë e takimit të ftuar nga presidentja dhe pastaj do të shohim”.