image Tahiri: Partitë të garojnë të vetme, zgjedhjet mbahen më 6 tetor

Kosovë

Politikë/ Tahiri: Partitë të garojnë të vetme, zgjedhjet mbahen më 6 tetor

news image

Pas shpërndarjes së Kuvendit dhe nënshkrimit të vendimit nga kryetari i deritashëm të Kuvendit, Kadri Veseli, për shpërndarje, presidenti Thaci duhet që brenda 10 ditësh të caktoj datën e zgjedhjeve. Zgjedhjet e parakohëshme mund të mbahen më 6 tetor ose një javë më herët, ndërsa fushata për këto zgjedhje do të jetë 10 ditë.
Lidhur me situatën e re politike, çështjet procedurale dhe grumbullimet partiake parazgjedhore, politologu Ramush Tahiri, flet për gazetën Sinjali.

Gazeta SINJALI

Koha e mbajtjes së zgjedhjeve është e përcaktuar shumë qartë me ligjet dhe Kushtetutën e vendit, dhe se ato do të duhej të mbahen më së largu më 6 tetor, thotë politologu Ramush Tahiri.

“Pas shpërbërjes së Kuvendit të Republikës së Kosovës të legjislaturës së gjashtë me dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve, vendi shkon ne zgjedhje të parakohëshme të cilat duhet të mbahen ditën e diel në afatin e përcaktuar kushtetues jo më heret se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë nga dita e shpërndarjes së Kuvendit. Në respektim të kësaj norme janë vetem dy data të mundëshme kur do të mund të mbahen zgjedhjet : më 29 shtator dhe me 06 tetor të vitit 2019. Presidenti duhet që në afat prej dhjetë ditësh të dekretoj datën e zgjedhjeve. Me gjasë kjo do të jetë të dielen me 06 tetor”, thotë politologu Tahiri.

Tahiri thotë se fushata për zgjedhjet e parakohshme zgjatë 10 ditë derisa për koalicionet parazgjedhore thekson se ato bëhen për interesa meskine dhe jo për program.

“Do të ishte mirë që partitë të dalin veç e veç si subjekte individuale në zgjedhje dhe aty të shohin forcën e sejcilit sepse koalicionet parazgjedhore të interesit e zhvendosin apo e tjetërsojnë vullnetin burimor të qytetarëve zgjedhës. Koalicionet parazgjedhore bëhën për interesa meskine e përfitime praktike ndërsa koalicionet paszgjedhore janë programore që ndërlidhen me programin e Qeverisë në të cilën janë palë të koalicionit”, thotë Tahiri për Sinjalin.

Politologu Tahiri thotë se fituesin e zgjedhjeve e përcaktojnë shumë faktorë dhe se për këtë është ende herët të flitet.

“Secili parashikim për rezultatet e pritshme do të ishte opinion e jo analizë sepse në analizë duhet të merren parasyshë disa faktorë variabilë dhe konstantë. Bie fjala a pajtohet elektorati me koalicionin parazgjedhor që e bëjnë udhëheqjet e partive, a ndihet i zhgenjyër dhe a janë respektuar parimet programore. Mandej sa ashtë dalja e votuesve të rinjë dhe sa është pjesmarrja në zgjedhje , mandej sa është dalja nepër regjione në përqindje dhe sa është ndikimi regjional i secilës parti.. etj’, vlerëson politologu Tahiri.

Tahiri thotë se për Kosovën, në këtë fazë, është tepër e rëndësishme që të organizojë dhe mbajë zgjedhje të mira të cilat do të ishin të pranueshme për të gjithë.

“Me rëndësi është zgjedhjet me kalu qetë, me qenë të drejta dhe të ndershme, të pranueshme nga të gjitha partitë politike dhe të vlerësuara nga vëzhguesit ndërkombëtarë. Pra duhet të jenë të çertifikuara. Pas çertifikimit duhet të konstituohet Kuvendi brenda 30 ditesh dhe të zgjidhen trupat dhe organet e Kuvendit. Mandej koalicioni fitues duhet me paraqitë kandidatin per Kryeministër që votohet në Kuvend”,thotë Tahiri.

Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë mbahen pas dorëheqjes së kryeminsitrit Ramush Haradinaj, i cili një muaj më parë dha la postin e kryeminsitrit me arsyetimin se është ftuar nga Gjykata Speciale për intervistim si i dyshuar dhe se atje nuk dëshironte të shkonte si kryeministër i Kosovës por si qytetar dhe ish – komandant i luftës së UÇK-së./Sinjali/