Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka folur pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit.
Duke folur për seancën e së hënës, gjatë së cilës do të diskutohet raporti i 100 ditëshit të Qeverisë Kurti 2, Tahiri tha se kjo është hera e parë që ky raport nuk prezantohet para Kuvendit vet nga kryeministri, por sipas tij, opozita u desh të thërriste seancë.
“Ne e shohim mosvullnetin dhe mosgatishmërinë e qeverisë për të raportuar, sepse nuk shohim asnjë nismë nga kjo qeveri”, tha Tahiri.
Sipas tij, shumicën e angazhimit në kuvend e ka bërë opozita, e jo pozita.
Tahiri kritikoi edhe buxhetin pasi që sipas tij, lë shumë për të dëshiruar.
I pyetur nëse është i kënaqur me reagimin e qeverisë për ngjarjen në Kroaci, Tahiri tha se krejt çka kanë pa nga qeveria, ka qenë mërzitja e kryeministrit dhe se kanë parë vetëm angazhimin e Qeverisë së Kroacisë.
“Krejt çka kemi pa nga qeveria, ka qenë mërzitja e zotit Kurti, por edhe s’kanë pasë çka me bë pasi që aksidenti ka ndodhur në Kroaci, kemi parë vetëm angazhimin e Qeverisë së Kroacisë. Nuk kemi pasë ndonjë reagim konkret nga Qeveria e Kosovës”, përfundoi ai./Gazeta Sinjali/