Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për mënyrën se si ka zgjedhur sot ta prezantonte qëndrimin e tij për Asociacionin.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se Kurti kishte zgjedhur ta prezanton qëndrimin e tij në kohën për deklarime jashtë rendit të ditës, kur deputetët e kanë kohën e kufizuar për debat e replika.
Sipas tij, këtë e ka bërë nga frika e ballafaqimit me deputetët.
“Kjo nuk është koincidencë. Kjo është gjë e menduar mirë. Por ajo çfarë ishte një përpjekje absurde për të shpëtuar nga ballafaqimi për “zajednicën”, ishte zgjedhja e kohës për deklarime jashtë rendit të ditës nga ana e kryeministrit, kur deputetët e kanë kohën e kufizuar për debat e replika. Madje, nga frika e ballafaqimit, kujdeseshin të na e përkujtonin se nuk kemi të drejtë ta kërkojmë fjalën se s’lejohet me rregullore”, ka shkruar Tahiri.
Ai ka bërë me dije se kryeministri i vendit duhet t’ua shpjegojë deputetëve dhe qytetarëve në detaje se çfarë e ka shtyrë të ndryshon qëndrim ndaj Asociacionit.
“Pra, Albin Kurti nuk ka pasur guxim që themelimin e zajednicës ta shtrojë si çështje të plotë debati, ku do të mund të diskutonim gjerë e gjatë se si erdhëm në këtë pikë. Ai zgjodhi kohën më të përshtatshme për vete, për ta thënë këtë lajm duke iu shmangur ballafaqimit të deputetëve e duke lënë qytetarët në terr informativ. Por kësaj përpjekje, nuk do të mund t’i shmanget. Ai duhet t’ua shpjegojë deputetëve dhe qytetarëve në detaje se çfarë e bëri atë që ta pranojë zajednicën brenda natës”, ka shkruar Tahiri.