Deputeti nga radhët e AAK-së, Besnik Tahiri, ka folur për takimin mes kryeministrit Albin Kurti dhe liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj, duke thënë se momentumi që është krijuar jep indikacione të qarta se marrëveshja mes Kosovës e Serbisë është afër.
“Ne kemi shkuar për të diskutuar përmbajtjen, momentumi që është krijuar na jep indikacione të qarta se marrëveshja është afër dhe në një rrethanë të tillë, ne duam të jemi të informuar rreth përmbajtjes. Se sa është afër, a është një javë apo tre javë apo tre muaj apo një vit, këtë nuk mund ta them, sepse kjo varet shumë nga akterët ndërkombëtarë amerikan-evropianë, në të njëjtën kohë varet prej Qeverisë sonë që e ka shumicën dhe varet nga i gjithë spektri politik, për shkak se është marrëveshje për vendin”, tha Tahiri në Edicionin Special të Klan Kosova.
Deputeti refuzoi të flasë për detajet e një marrëveshje të mundshme, duke thënë se nuk e ka parë.
“Unë nuk e kam parë marrëveshjen. Marrëveshja kornizë, ajo që është diskutuar, ka të bëjë me preambullën që lidhet me njohjen. Detajet e marrëveshjes nuk i kam parë, nuk i di”, shtoi ai.