image Tahiri flet pas takimit me Osmanin: Vendimi është tek populli

Politikë

Tahiri flet pas takimit me Osmanin: Vendimi është tek populli

news image

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka mbajtur një takim me u.d e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për zgjedhje të reja, shkruan Gazeta Sinjali.

Tahiri para mediave u shpreh se kanë diskutuar me Osmanin lidhur me kohën e mbajtjes së zgjedhjeve. Sipas tij, sa herë që vendimi i dorëzohet qytetarëve, është lloj feste.

“Sapo përfundova një takim me u.d e presidentes së vendit, temë diskutimi ishin zgjedhjet dhe vendimi i Kushtetueses që e detyron vendin të shkojë në zgjedhje, diskutuam për kohën optimale që këto zgjedhje të mbahen. Ajo që dua të them qytetarëve të Kosovës është se çfarëdo situate kur vendimi dorëzohet tek sovrani, është festë. Kosova ka dëshmuar stabilitet institucional, edhe në kohë të vështira të organizojë zgjedhje dhe besoj se do të kalojmë mirë edhe kësaj radhe edhe pse jemi me pandeminë”, tha Tahiri.

Ai u shpreh se kanë diskutuar afatet kohore kushtetuese që lidhen me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për ta dërguar vendin në zgjedhje brenda 40 ditësh.

“Ne i diskutuam afatet kohore Kushtetuese që lidhen me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por edhe ajo që dihet saktësisht që 5 maji është data kur skadon mandati i u.d të presidentes dhe ajo u zotua se do të ketë konsulta të gjata me të gjitha partitë dhe se do të caktohet një datë që do të jetë në kornizën e këtyre afateve kohore. Të gjithë tani e kemi një qartësi, vendimi është tek populli, Kosovë, urime zgjedhjet”, tha Tahiri./Gazeta Sinjali/