Zëvendëskryeministri i parë i qeverisë, Besnik Tahiri bashkë me ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Meliza Haradinaj-Stublla, janë pritur sot në takim nga kryeministri i Kroacisë, Andreja Plenkoviq, shkruan Gazeta Sinjali.
Këtë e ka bërë të ditur vet zëvendëskryeministri, Besnik Tahiri përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook.
Tahiri ka thënë se kanë rikujtuar momentet më të rënda të historisë së përbashkët që kanë Kosova dhe Kroacia.
“Gjatë takimit me kryeministrin Plenkoviq i rikujtuam momentet më të rënda të historisë së përbashkët, sfidat që i kaluam së bashku, dhe rreshtimin në anën e drejtë të historisë gjatë luftërave çlirimtare të të dy shteteve, periudha këto të lavdisë të cilat i kaluam krah njëri-tjetrit. Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës kërkova nga Kryeministri Plenkoviq të mbështesë Kosovën në aspiratat e saj drejt BE-së, forcimin e bashkëpunimit ekonomik si dhe reformat në administratë shtetërore”, ka shkruar Tahiri.
Pavarësisht goditjes nga pandemia, Tahiri dhe Plenkovicq janë zotuar për ngritjen e nivelit të komunikimit ndërqeveritar në mes dy vendeve.
“U zotova se jemi gati që të ngrisim nivelin më të lartë të komunikimit ndërqeveritar në mes të dy vendeve, edhe pse pandemia e ka goditur rëndë këtë aspekt të bashkëpunimit. Për Kosovën, populli dhe shteti kroat janë dhe do të mbesin ndër adresat kryesore në aspiratat tona në rajon dhe BE”, është shprehur Tahiri.