Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së Abelard Tahiri, nëpërmjet në postimi në facebook, ka shkruar se në vitin 2023, kanë hyrë me pasoja të retorikës së kryeministrit gjatë 2022-tës.
Më tej Tahiri ka shkruar se përderisa në Ukrainë luftohej agresioni rus, në Kosovë flitej për luftë nga kryeministri i vendit. Nga një histori suksesi e ngritjes së një shteti modern, me retorikën e kryeministrit gjatë 2022-tës, jemi rikthyer në lajme ndërkombëtare si një vend jo stabil e me rrezik për konflikte.
“Ta mendosh se çfarë dëmi i ka bërë kjo Kosovës, do të thotë të kesh në mendje tre parametra: Cili investitor i huaj do të rrezikonte të investonte në një vend, kryeministri i të cilit flet për luftën që na kanoset? Si mund të shpresojnë në perspektivë, të rinjtë e një vendi që qeveriset me një kryeministër të tillë? Çfarë e ardhmeje ekonomike e pret një vend, kryeministri i të cilit, vizionin e vetëm e ka përballjen me luftën e tij”, ka pyetur Tahiri.
Deputeti i PDK-së më tej ka theksuar se në fakt, lufta ka qenë tema qendrore dhe preteksti në kokën e kryeministrit, i cili, përmes saj ka abstenuar që t’iu përgjigjet betejave të përditshme sociale dhe ekonomike me të cilat ballafaqohen qytetarët e Kosovës.
“Rezultati: ikje e të rinjve, mungesë investimesh, mungesë zhvillimi, mungesë perspektive. Vit i ri, me pasoja të një mentaliteti të vjetër”, tha Tahiri.