image Tahiri akuzon "KRU Mitrovica" për reduktimet e ujit të pijshëm

Kosovë

Vushtrri/ Tahiri akuzon “KRU Mitrovica” për reduktimet e ujit të pijshëm

news image

Ka disa ditë që qyteti i Vushtrrisë po përballet me reduktime të ujit të pijshëm që sipas kryetarit, Xhafer Tahiri, kjo është papërgjegjësi totale dhe shkelje serioze e ligjit nga KRU Mitrovica, njësia në Vushtrri

“Reduktimet e ujit në kohë pandemie në Vushtrri janë papërgjegjësi totale dhe shkelje serioze e ligjit nga KRU Mitrovica njësia në Vushtrri. Ujë ka mjaftueshëm dikush me qëllim po dëshiron të dënoj një qytet me reduktime. Me ligj reduktimet janë të ndaluara”, ka shkruar Tahiri.

Ai tha se Komuna e Vushtrrisë, Drejtoria e Shërbimeve Publike nuk ka pranuar asnjëherë njoftim për arsyet e reduktimeve të ujit e aq më pak orar të reduktimeve.

“Arsyetimi që ka shpenzime të tepërta e keqpërdorime të ujit nuk qëndron sepse që nga fillimi i vitit 2020, nuk ka asnje fletë paraqitje për keqpërodrim të ujit nga KRU Mitrovica /Njësia në Vushtrri në inspektoratin e Komunës. Për më tepër qe 2 muaj bizneset e Vushtrrisë kanë qenë të mbyllura”, ka shkruar Tahiri.

Tahiri bëri të ditur se komuna ka ofruar bashkëpunim të plotë KRU Mitrovica, por papërgjegjësia e menaxhmentit të KRU Mitrovica/Njësia në Vushtrri po i dëmton rëndë qytetarët.

“Një individ nuk do të lejohet të dënojë e shantazhojë një qytet.
Komuna e Vushtrrisë kërkon nga KRU Mitrovica të merren masa menjëherë, ndryshe do të shqyrtohet ngrirja e bashkëpunimit dhe inicimi i procedurave ligjore ndaj përgjegjësve të Njësisë së KRU Mitrovica në Vushtrri”, ka shkruar Tahiri./Gazeta Sinjali/