Kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani, ka thënë se Këshilli i përgjithshëm i LDK-së sot ka votuar kundër çfarëdo koalicioni me PDK-në.
Në një paraqitje para gazetarëve, Osmani po ashtu i është kundërpërgjigjur edhe deklaratave të ish-deputetit të Vetëvendosjes, Xhelal Sveçla, i cili ka akuzuar LDK-në se ka bërë veprim tinëzar duke e nominuar Vjosa Osmanin si kandidate për kryeministre.
“VV duhet t’i bashkohet LDK-së në ndërtimin e një epoke të re të ndryshimeve të mëdha që do të jenë ndryshime historike. Deklaratat e tilla tregojnë që një bashkëpunim të tillë nuk e paskan pasur të sinqertë por shpresoj që këto deklarata të mos jenë të lidershipit të VV-së. Ne jemi të hapur për bashkëpunim, për diskutime dhe kjo mund të ndodhë mbi baza të respektit reciprok”, ka thënë ajo.
Ndryshe këto dy parti kanë zhvilluar deri më tani disa takime për të diskutuar për arritjen e një marrëveshje për koalicion parazgjedhor, mirëpo deri më tani pa ndonjë rezultat.