Xhelal Sveçla, Ushtrues detyrë në pozitën e ministrit të Punëve të Brendshme, tha se ministria të cilën ai e udhëheq nuk ka përgjegjësi, por se për mënyrën sesi ka ardhur deri te vdekja e Agon Musliut në karantinë, dikush është fajtorë.
I pyetur nëse ai mbante përgjegjësi, “Absolutisht jo, është e-maili që ka ardhur nga autoritetet e Gjilanit në Qendrën Operative të ministrisë së Punëve të Brendshme”.
“Ky rast nuk ka pasur asgjë të bëjë me ministrinë e Punëve të Brendshme, përgjegjës për atë karantinë është zëvendësi i Ministrisë së Shëndetësisë që vie nga radhët e LDK-së”, u shpreh Sveçla.
Ai, më tutje tha se alarmet për gjendjen e Agon Musliut, në Qendrën Operative të ministrisë së Punëve të Brendshme, ka ardhur 13 minuta para se i ndjeri të hidhet nga kati i pestë i konvikteve.
“Alarmet që janë dhënë për shembull në Qendrën Operative në Ministrinë e Punëve të Brendshme, kanë ardhur 13 minuta para se i ndjeri të hidhej nga kati i pestë i konvikteve. Për sa i takon ministrisë së Punëve të Brendshme, ekziston e-maili që autoritetet e Gjilanit i kanë dërguar ministrisë së Punëve të Brendshme”, tha ai në Rubikon.
Sveçla gjithashtu tha se ka kërkuar nga Policia dhe Prokuroria që rasti tragjik të hetohet e të zbardhet sa më shpejtë.
“Unë e kam idenë se çfarë ka ndodhur, unë kam kërkuar nga policia e Kosovës që të vë të gjitha kapacitetet e saj për hetime, kam kërkuar nga Prokuroria që ta vë në prioritet zbardhjen e rastit”, deklaroi Sveçla./ Gazeta Sinjali/