image Sveçla: Kosova ka strehuar 467 afganë deri tani - Sinjali

Sveçla: Kosova ka strehuar 467 afganë deri tani

news image

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se ka ftuar në takim koordinues organizatat ndërkombëtare në Kosovë, për të diskutuar rreth gjendjes dhe nevojave aktuale lidhur me strehimin e përkohshëm të qytetarëve afgan në Kosovë.

Sveçla tutje ka njoftuar se deri më tani në Kosovë kanë arritur 467 qytetarë, të cilët janë tashmë të strehuar, e ku me ndihmën e NATO-s, u janë ofruar kushtet e nevojshme për akomodim fillestar,

Ai ka thënë se në këtë proces është shumë i nevojshëm përkrahja edhe e organizatave ndërkombëtare që janë të vendosura në Kosovë dhe me këtë qëllim i ka ftuar për të parë mundësitë e tyre për të ndihmuar në këtë proces të rëndësishëm, si dhe për të vendosur kanalet e drejta të komunikimit dhe koordinimit.

“Qeveria e Kosovës i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së Qeverisë së SHBA-së dhe NATO-s, për të strehuar përkohësisht qytetarët afgan. Ne jemi zotuar për të ofruar kushte dinjitoze të akomodimit, për të ju bërë sa më të lehtë qëndrimin e tyre në Kosovë. Megjithatë, nevoja për mbështetje të organizatave tuaja është po ashtu shumë e rëndësishme për ne”, theksoi ministri Sveçla.

Ndërsa përfaqësuesit e organizatave ndërkombëtare në Kosovë, theksuan gatishmërinë e tyre që në bazë të nevojave të identifikuara dhe mundësive, të jenë në dispozicion të institucioneve të Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtarë për të ndihmuar në këtë proces, thuhet në komunikatën e Ministrisë. /Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin

Etiketat kryesore: