image Supremja ia refuzon ankesën Vetëvendosjes për Prizren

Supremja ia refuzon ankesën Vetëvendosjes për Prizren

news image

Gjykata Supreme ka vendosur t’ia refuzojë ankesën Vetëvendosjes lidhur me pretendimet për parregullsi në rundin e dytë të zgjedhjeve lokale në komunën e Prizrenit.

Kandidati i LVV-së, Mytaher Haskuka, në balotazh e humbi betejën për të parin e kësaj komune. Fitues doli kandidati i PDK-së, Shaqir Totaj.

Njoftimi i Gjykatës Supreme:

Ankesa e këtij subjekti është dorëzuar me kohë, në zyrat e postës publike me datë 24.11.2021, ndërsa në Gjykatën Supreme të Kosovës, përmes postës, është pranuar më 02.12.2021, në ora 9.30 minuta. Gjykata Supreme e Kosovës duke iu referuar dispozitës së nenit 127.2 të Ligjit mbi Procedurën Kontestimore,  ku parashihet se “Në qoftë se parashtresa është dërguar me anë të postës me letër rekomande apo në rrugë telegrafike, dita e dorëzimit në postë konsiderohet si ditë e dorëzimit në gjykatën të cilës i është drejtuar..” e konsideroi si të afatshme ankesën dhe  pasi vlerësoi ligjshmërinë e vendimit  të kontestuar, në kuptim të pretendimeve ankimore, të përgjigjes në ankesë, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, gjeti se, është e pabazuar.

Me vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), A.nr.1145/2021, të datës 23.11.2021, në pikën I të dispozitivit, refuzohet si e pabazuar pjesa e apelit, Anr.1145/2021 e datës 21.11.2021, i paraqitur nga Subjekti Politik Lëvizja Vetëvendosje, me seli në P., me të cilin ka kërkuar që në Vendvotimet: 2001A/02R, 2002A/05R, 2003A/07R, 2005X/04R, 2005X/06R, 2006A/01R, 2006X/01R, 2020A/01R, 2023A/01R, 2023A/02R, 2030A/02R, 2033A/04R, 2035A/02R, 2042A/02R 2042A/06R, 2042A/09R 2042A/11R, 2026A/01R, 2026A/02R, 2026A/03R, 2042A/03R, 2030A/01R dhe në Qendrën e Votimit të fshatit …, të anulohet rezultati i publikuar dhe të urdhërohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ta organizoi rivotimin, si shkak i diferencës së daljes së votuesve për të votuar dhe fletëvotimeve në kutitë e votimeve. Në pikën II të dispozitivit hudhet si e pasafatshme, pjesa apelit Anr.1145/2021, e datës 21.11.2021, i paraqitur nga Subjekti Politik Lëvizja Vetëvendosje, me seli në P., kundër vendimit me numër 3166- 2021 i datës 20.11.2021, të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), për Shpalljen e Rezultateve Përfundimtare për Raundin e Dytë të Zgjedhjeve Lokale 2021, në pjesën që pretendon apeluesi për parregullsitë e paraqitura gjatë ditës së votimit të datës 14.11.2021.

/GazetaSinjali/