image Sulmohet seksualisht një nxënëse në Shtime, i dyshuari po konsumonte lëndë narkotike mbrapa shkollës

Siguri

Sulmohet seksualisht një nxënëse në Shtime, i dyshuari po konsumonte lëndë narkotike mbrapa shkollës

news image

Vajzat dhe gratë po vazhdojnë të jenë viktimat më të shpeshta të dhunës në familje, ngacmimeve e sulmeve seksuale. Në shumë raste, viktima janë vajzat e mitura, të cilat keqpërdoren seksualisht nga persona të panjohur, por edhe nga ata të cilët i kanë të afërm. Sinjali në vazhdimësi ka raportuar për këto raste dhe për të dyshuarit që kanë rënë në prangat e Policisë.

Një rast i tillë dyshohet të ketë ndodhur së fundi në komunën e Shtimes, ku viktimë është një nxënëse e shkollës së mesme ‘Naim Frashëri’.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se e gjithë ngjarja ka ndodhur në oborrin e shkollës, ku viktima është takuar me të dyshuarin i cili po qëndronte atje bashkë me disa persona tjerë me të cilët dyshohet se po konsumonin substanca narkotike.

17-vjeçari dyshohet se ka sulmuar seksualisht të miturën, të cilës i ka shkaktuar frikë e shqetësime të mëdha. Ajo përballë kësaj situate ka denoncuar rastin në Polici, ku ka dhënë dëshminë e saj në praninë e prindit, avokatit dhe zyrtarit të Qendrës për Punë Sociale.

I dyshuari është arritur që të arrestohet dhe më pas është shoqëruar në stacion policor, ku para hetuesve ka deklaruar se ka pasur prekje e ledhatime me viktimën, por sipas tij gjithçka është bërë me dëshirën e të dyve.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 24 orësh dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Sulm seksual’.

/GazetaSinjali/