Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kërcënime serioze nga qytetarët qoftë në trafik apo kur intervenojnë në raste që denoncohen. Shpeshherë pakënaqësitë e tyre eskalojnë edhe në sulm, siç ka ndodhur gjatë ditës së sotme në Shtaricë të Klinës, raporton Gazeta Sinjali.
Në këtë fshat Policia kishte shkuar mëngjesin e sotëm pasi ishte raportuar një rast i ngacmimit. Por aty u ballafaquan me një person i cili dyshohet t’i ketë sulmuar.
Sinjali mëson se i dyshuari nuk kishte pranuar që të bashkëpunojë me Policinë, me të cilët pati një sjellje agresive dhe eskaloi deri në atë pikë sa filloi t’i gjuajë me gurë. Për pasojë zyrtarët policorë pësuan lëndime trupore, për çka u desh të kërkonin ndihmë mjekësore.
Posa panë rrezikun që po u kanosej nga i dyshuari, policët morën masa parandaluese duke përodur sprej, pasi hasën në rezistencë e më pas e arrestuan të njëjtin dhe e shoqëruan në stacion policor.
Burimet thonë se lidhur me rastin është njoftuar edhe Prokurori i Shtetit, me urdhër të të cilit i dyshuari është ndaluar për 48 orë për veprat penale “Sulm ndaj personit zyrtar” dhe “Lëndim i lehtë trupor”.