image Sulmohen zyrtarët policorë në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Podujevë

Siguri

Sulmohen zyrtarët policorë në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Podujevë

news image

Gjatë 24 orëve të fundit kanë ndodhur katër raste të përleshjes, në të cilat janë penguar dhe sulmuar zyrtarët policorë, në kryeqytet, Fushë Kosovë dhe Podujevë, shkruan Gazeta Sinjali.

Rasti i parë ka ndodhur në rrugën “Hysen Xhakolli” në Fushë-Kosovë, ku dy zyrtarë policorë gjatë kontrollit në një lokal me muzikë, janë penguar dhe sulmuar fizikisht nga tre të dyshuar. Ndërkohë, tre të dyshuarit janë arrestuar dhe me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.

Rasti tjetër ka ndodhur në lagjen “Ulpianë” në kryeqytet, ku fillimisht një person e ka sulmuar fizikisht një person tjetër me ç’rast i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore, ku dhe i njëjti më pas ka pranuar tretman mjekësor. Sipas policisë, deri te sulmi dyshohet se ka ardhur për shkak të një mosmarrëveshje të fëmijëve.

Lidhur me këtë rast janë arrestuar dy gra, pasi që të njëjtat dyshohet se kanë penguar zyrtarët policorë në kryerjen e detyrës zyrtare, ndërkaq i dyshuari është arratisur.

Ndërkaq, rasti tretë ka ndodhur në rrugën “Zahir Pajaziti” në qytetin e Podujevës, ku një person është vënë në pranga të Policisë, pasi që i njëjti dyshohet se ka thyer xhama dhe orendi brenda në një lokal. Ky person dyshohet se ka penguar zyrtarët policorë në kryerje të detyrës dhe i ka sulmuar fizikisht ata. Lidhur me këtë rast njëri nga policët ka pranuar trajtim mjekësor.

Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje dhe ndaj tij rasti është cilësuar si “Sulm ndaj personit zyrtar dhe Dëmtim prone”.

Rasti tjetër ka ndodhur në fshatin Llapashticë e Epërme në Podujevë, ku dy persona janë arrestuar, pasi që të njëjtit dyshohet se i kanë penguar dhe sulmuar fizikisht në kryerje të detyrës zyrtare zyrtarët policorë. Me vendim të prokurorit dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje. /GazetaSinjali/