image Jep dorëheqje gjinekologu i Spitalit të Vushtrrisë pas incidentit me familjarin e një pacienteje

Shëndetësi

Jep dorëheqje gjinekologu i Spitalit të Vushtrrisë pas incidentit me familjarin e një pacienteje

news image

Gjinekologu Blerim Feka, shef i repartit të Gjinekologjisë në spitalin e Vushtrrisë ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë pas incidentit qe ndodhi para pak ditësh me familjarin e një pacienti. Ndaj tij u iniciua edhe rast në Polici, ndërkohë që para se Spitali të marrë masa ai u largua vet.

Prokurori i Shtetit ka vendosur që ndaj tij të iniciohet rast për prishje të rendit dhe qetësisë publike.

Sinjali raportoi para dy ditësh se mjeku është intervistuar nga hetuesit policorë dhe pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori ka urdhëruar inicimin e rastit si kundërvajtje.

Në lidhje me rastin ka dëshmuar edhe viktima, ndaj të cilit do të merren veprimet e nevojshme në rast se ka elemente të veprës penale lidhur me incizimet brenda spitalit.

Ndryshe, në pamjet e siguruara nga Gazeta Sinjali shihet Feka teksa debaton me prindin e foshnjës, i cili kërkon nga mjeku që të lejojë ta shohë fëmijën e tij të sëmurë.

Sipas qytetarit, mjeku gjinekolog nuk ka pasur sjellje të hijshme karshi gruas e cila i është drejtuar Fekës për komunikim dhe i njëjti dyshohet të ketë bërtitur nëpër spital.

“A është në rregull ti si shef i repartit me ba kësi sjellje. A është në rregull? Unë e kom fminë smutë o burrë, unë po du me hi me pa fminë, ti po thu, p’i bërtet nji gruje që është t’u folë drejtpërdrejtë me ty. Ajo e ka çikën mrena t’bome operacion, fmija është me probleme me frymëmarrje, ti po bërtet në mes të sallës. A është në rregull prej teje doktor? Shef i repartit i thu vetit. A është në rrëgull”, dëgjohet teksa qytetari kërkon llogari nga gjinekologu Feka.

E ky i fundit, si duket nuk mund ta durojë më gjatë familjarin e pacientit dhe i vërsulet ta sulmojë, teksa shihet qartazi në video se ia godet telefonin me të cilin po xhironte. Po ashtu gjatë zënkës dëgjohen edhe të shara me nënë nga Feka.

“Kënd po e incizon ti rrugës”, dëgjohet duke thënë Feka, i cili tenton t’ia largojë telefonin qytetarit që po e incizonte.

“Hima hima, unë babën e kom polic. Qetash ti thirri Policinë. Ti s’e Meriton me qenë Shef i Repartit”, thotë qytetari.

“A ti mu ma q*n nanën a?’, i përgjigjet qytetari Fekës, teksa e paralajmëron se ai nuk do të jetë më pjesë e këtij reparti pasi do ta denoncojë rastin në media dhe në organet e rendit.

Kujtojmë se ndaj Blerim Feka edhe më parë kishte ankesa dhe për këtë kishte raportuar Gazeta Sinjali, ku një grua kishte deklaruar se gjinekologu Feka, kishte reaguar me nervozizëm të madh dhe e kishte kontrolluar në shpejtësi të madhe, teksa ajo po ndiente dhimbje në stomak dhe se i njëjti kishte sjellje arrogante ndaj saj.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/