image Kryeprokurori flet për Sinjalin, njofton për veprimet në rastin ku u përfshi gjinekologu i Spitalit të Vushtrrisë

Drejtësi

Kryeprokurori flet për Sinjalin, njofton për veprimet në rastin ku u përfshi gjinekologu i Spitalit të Vushtrrisë

news image

Gazeta Sinjali raportoi sot detaje dhe publikoi pamje për incidentin ku u përfshi shefi i Repartit të Gjinekologjisë në Spitalin e Vushtrrisë, Blerim Feka. Ai u kap me babain e një foshnje që ndodhet në trajtim mjekësor në këtë institucion shëndetësor publik. Lidhur me rastin, Sinjali ka kontaktuar Policinë, por kanë qenë të paqasshëm, teksa detaje ka dhënë Prokuroria.

Kryeprokurori Ismet Ujkani njoftoi për Sinjalin se prokurori kujdestar ka dhënë urdhër që të dëgjohen dy palët dhe rasti të hetohet në procedurë të rregullt.

“Prokurori e ka udhëzuar Policinë që te pala ankuese duhet të shikohet nëse ka elemente të veprës penale për fotografim të paautorizuar në Gjinekologji, ndërsa te mjeku për sjelljen e tij, si vepër kundërvajtëse. Pra rasti të hetohet në procedurë të rregullt.“, tha Ujkani për Sinjali.

Ndryshe, në pamjet e siguruara nga Gazeta Sinjali shihet Feka teksa debaton me prindin e foshnjës, i cili kërkon nga mjeku që të lejojë ta shohë fëmijën e tij të sëmurë.

Sipas qytetarit, mjeku gjinekolog nuk ka pasur sjellje të hijshme karshi gruas e cila i është drejtuar Fekës për komunikim dhe i njëjti dyshohet të ketë bërtitur nëpër spital.

A është në rregull ti si shef i repartit me ba kësi sjellje. A është në rregull? Unë e kom fminë smutë o burrë, unë po du me hi me pa fminë, ti po thu, p’i bërtet nji gruje që është t’u folë drejtpërdrejtë me ty. Ajo e ka çikën mrena t’bome operacion, fmija është me probleme me frymëmarrje, ti po bërtet në mes të sallës. A është në rregull prej teje doktor? Shef i repartit i thu vetit. A është në rrëgull”, dëgjohet teksa qytetari kërkon llogari nga gjinekologu Feka.

E ky i fundit, si duket nuk mund ta durojë më gjatë familjarin e pacientit dhe i vërsulet ta sulmojë, teksa shihet qartazi në video se ia godet telefonin me të cilin po xhironte. Po ashtu gjatë zënkës dëgjohen edhe të shara me nënë nga Feka.

Kënd po e inicizon ti rrugës”, dëgjohet duke thënë Feka, i cili tenton t’ia largojë telefonin qytetarit që po e incizonte.

Hima hima, unë babën e kom polic. Qetash ti thirri Policinë. Ti s’e Meriton me qenë Shef i Repartit”, thotë qytetari.

A ti mu ma q*n nanën a?’, i përgjigjet qytetari Fekës, teksa e paralajmëron se ai nuk do të jetë më pjesë e këtij reparti pasi do ta denoncojë rastin në media dhe në organet e rendit.

Kujtojmë se ndaj Blerim Feka edhe më parë kishte ankesa dhe për këtë kishte raportuar Gazeta Sinjali, ku një grua kishte deklaruar se gjinekologu Feka, kishte reaguar me nervozizëm të madh dhe e kishte kontrolluar në shpejtësi të madhe, teksa ajo po ndiente dhimbje në stomak dhe se i njëjti kishte sjellje arrogante ndaj saj.

Sinjali do t’iu mbajë të informuar me detajet e reja lidhur me rastin.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/