Katër policë raportohen se kanë vdekur pas një sulmi me thikë në selinë e policisë në Paris.
Sulmuesi, i cili nuk është identifikuar ende raportohet se ishte anëtar i stafit dhe u qëllua për vdekje, shkruan BBC.
Ai po përpiqej të hynte në ndërtesë kur u ndalua nga policët e tjerë.
Deri më tani nuk ka asnjë deklaratë zyrtare nga policia franceze për ngjarjen e rëndë.
Sulmi ndodhi rreth orës lokale 13:00 në oborrin e ndërtesës së policisë, e cila ndodhet afër katedrales së Notre-Dame.
Një stacion metroje pranë selisë së policisë është mbyllur për arsye sigurie, njoftoi autoriteti i transportit të qytetit pas sulmit.
Kryeministri francez, Edouard Philippe dhe Ministri i Brendshëm, Christophe Castaner ndodhen në vendin e ngjarjes.
I dyshuari pas sulmit besohet se kishte punuar në selinë e policisë, megjithëse nuk është e qartë se në çfarë pozicioni.
Sulmi vjen një ditë pasi policia franceze hyri në grevë në të gjithë vendin për rritjen e dhunës ndaj oficerëve dhe niveleve të vetëvrasjeve brenda forcave të policisë.