image Sulm, kanosje e drogë: Dosja kriminale e punëtorit problematik të sigurimit të “BarBon” në Prizren

Siguri

Sulm, kanosje e drogë: Dosja kriminale e punëtorit problematik të sigurimit të “BarBon” në Prizren

news image

Siguria publike në Kosovë konsiderohet se po cenohet nga krime të natyrave të ndryshme, sidomos nga përleshjet në lokale e hapësira te frekuentuara me të madhe nga qytetarët. Më shqetësues është fakti qe personat të cilët përfshihen në incidente te tilla janë pikërisht ata që janë të thirrur për të ofruar siguri e për të respektuar klientët. Por një gjë e tillë siç duket nuk ka vlejtur për një punëtor të sigurimit në lokalin “Barbon” në Prizren, i cili u arrestua mbrëmë pasi u përfshi në një përleshje.

Gazeta Sinjali ka mësuar se punëtori i dyshuar, Ilirjan Bytyqi, nuk është emër  i panjohur për organet e rendit, pasi dosja e tij është e pasur me vepra dhe raste të ndryshme në të cilat është përfshirë.

Ilirjan Bytyqi, 36-vjeçar nga Prizreni ka të kaluar kriminale pasi dyshohet se ka rënë ndesh me ligjin shumë herë për disa vepra penale. Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se Bytyqi është përfshirë në shumë disa incidente të natyrës së rrahjeve e përleshjeve, për çka ështe futur në telashe me shtetin.

Disa nga veprat e dosjes kriminale që ndodhet në sirtaret e Policisë e Prokurorisë janë: “Sulmi”, “Kanosja”, “Lëndim i rëndë trupor”, “Posedim i paautorizuar i narkotikëve”. Këto vepra sanksinohen me Kodin Penal të Republikës së Kosovës dhe dënohen me gjoba e burgim.  

Përveç veprave penale, Ilirjan Bytyqi dyshohet se ka kryer edhe rreth 100 vepra kundërvajtëse, shumica prej të cilave në komunikacion, thonë tutje burimet e Sinjali.

Por çfarë dihet për rastin e fundit, për të cilin ai tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor?

Bytyqi, duke qenë në pozitën e punëtorit të sigurimit në lokalin “Barbon” në Prizren të shtunën mbrëma dyshohet se ka sulmuar brutalisht dy vajza, kliente të kësaj kafeterie.

Gjithçka dyshohet se ndodhi rreth orës 22:00, në lokalin Barbon, ku dy vajzat, njëra prej të cilave është përfshirë në përleshje, kanë pasur një mosmarrëveshje me punëtorin e dyshuar, konflikt ky që eskaloi në sulm fizik dhe për pasojë njëra prej tyre ka pësuar lëndime të rënda trupore.

Siç mëson Sinjali nga të njëjtat burime, njëra nga vajzat e dyshuara e ka goditur me gotë Bytyqin, me të cilin paraprakisht u kapën. Aty situata vetëm sa eskaloi dhe Bytyqi pa një pa dy iu kthye me sulm, duke i goditur aq keq klientet, deri në atë pikë sa njërën prej tyre e ka tërhequr zvarrë nëpër lokal.

Si pasojë e goditjeve dhe rrahjes brutale, viktima ka pësuar frakturë në hundë, për çka është dërguar me urgjencë në Spitalin e Prizrenit për të marrë trajtim mjekësor. Në anën tjetër, Policia ka dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë prangosur Bytyqin, që ka qenë në gjendje te dehur dhe i cili është shoqëruar në stacion policor.

Pas mbledhjes së informacioneve të para në lidhje me rastin, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarit në kohëzgjatje prej 48 orësh, nën dyshimin e bazuar se ka kryer veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”. Ndaj tij, pritet të parashtrohet edhe kallëzim penal brenda afatit ligjor, teksa edhe Prokuroria do të ndërmarrë veprimet e nevojshme.

Gazeta Sinjali ka tentuar të marrë një përgjigje edhe nga lokali në fjalë, por të njëjtit kanë qenë të paqasshëm.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/