Ministri në detyrë i Bujqësisë, Besian Mustafa, ka folur pas aksionit të Policisë së Kosovës gjatë të cilit u arrestuan 12 zyrtarë të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë (AZHB), nën dyshimin se kanë bërë keqpërdorim të subvencioneve, shkruan Gazeta Sinjali.
Mustafa tha se ka pranuar ankesa nga fermerët për parregullsi gjatë ndarjes së subvencioneve.
Për këtë shqetësim të fermerëve, ministri në detyrë i Bujqësisë tha se ka folur edhe me kryeshefin e AZHB-së, Agim Nuhën, i cili po ashtu u arrestua gjatë këtij aksioni.
“Në disa raste më është thënë ‘shih se kemi probleme’ dhe u kam thënë ‘lajmërojeni policinë dhe organet hetuese’”, tha ai në Kanal 10.
Po ashtu, ai tha se ka suspenduar të gjithë zyrtarët në ministrinë e tij që kanë pasur aktakuzë të konfirmuar nga Prokuroria e Shtetit.
Mustafa tha se ka një vit që është duke bashkëpunuar me Prokurorinë dhe se është krenar që bashkëpunimi i tyre ka pasur suksese.
Ndryshe në aksionin e policisë të para disa ditëve u arrestuan 12 zyrtarë dhe u konfiskuan mbi 400 mijë euro./Gazeta Sinjali/