image Subjektet shkelëse të ligjit zgjedhor, nuk i paguajnë gjobat

Kosovë

PZAP/ Subjektet shkelëse të ligjit zgjedhor, nuk i paguajnë gjobat

news image

Partitë politike nuk kanë shlyer borxhet për zgjedhjet parlamentare në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP). Subjektet politike janë gjobitur me rreth 360 mijë euro, nga ky borxh janë paguar vetëm 11 mijë e 200 euro, ndërkohë kanë mbetur pa u paguar edhe 348 mijë e 800 euro, raporton Gazeta Sinjali.

Për shkak të shkeljes së Kodit të Mirësjelljes gjatë fushatës zgjedhore dhe thyerjes së heshtjes zgjedhore të zgjedhjeve të parakohshme të 6 tetorit, më së shumti është gjobitur partia e Kadri Veselit.

PDK  është gjobitur me 100,100.00 euro, ka paguar vetëm 9,000.00 euro. Ndërsa, ka pa paguar edhe 91,100.00 euro, bën të ditur për PZAP në një përgjigje elektronike për Gazetën Sinjali.

Pas tyre radhitet, koalicioni AAK-PSD  me 89,600.00 euro gjobë, këtë borxh nuk e ka shlyer ende.

Borxhin nuk e ka paguar as Lidhja Demokratike e Kosovës. LDK ka 74,850.00 euro gjobë, ende nuk ka paguar.

As partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka paguar borxhin.

“Lëvizja Vetëvendosje  ka 14,100.00 euro gjobë, nuk ka paguar”, thotë PZAP për Gazetën Sinjali.

As partia e Fatmir Limajt, Behgjet Pacollit dhe Ferid Aganit, të cilët garuan me koalicionin Nisma- AKR- PD  nuk e kanë paguar ende borxhin prej 33,900.00 euro.

Borxhlinjë janë edhe Lista Serbe me  36,500.00 euro, të cilat nuk i kanë paguar ende.

Borxhin e kanë shlyer vetëm PG, 1,100.00 euro gjobë dhe PLE, 1,100.00 euro.

Borxh në PZAP kanë edhe partitë me poshtë.

“PREBK                                                   = 250.00 euro, Nuk ka paguar

IRDK Lendrit Qeli                                  = 1,200.00 euro, Nuk ka paguar

SLS                                                          = 5,100.00 euro, Nuk ka paguar

VAKAT                                                  = 1,100.00 euro, Nuk ka paguar

KDTP                                                      = 1,100.00 euro, Nuk ka paguar”, thotë më tej PZAP.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë mbajtur më 6 tetor, ndërsa certifikimi e rezultateve ende nuk ka ndodhur.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka thënë se shpallja e rezultateve përfundimtare mund të bëhet menjëherë pas përfundimit të numërimit të votave nga diaspora. Numërimi i të cilave ka përfunduar mbrëmë. E pas shpalljes së rezultateve përfundimtare, nëse nuk do të ketë ankesa, pas 24 orëve do të bëhet certifikimi i zgjedhjeve. /Gazeta Sinjali/