Publikimi i listave zgjedhore nga partitë politike tregon se subjektet politike nuk po e përfillin ligjin për barazi gjinore. Shoqëria civile thotë se aq më keq është kur ligji nuk respektohet nga ata që e miratuan vetë atë.
Shoqëria civile ka vërejtje për të gjitha subjektet politike për sa i përket respektimit të kuotës gjinore. Publikimi i listave zgjedhore ka nxjerrë në pah se ligji për barazi gjinore i cili kërkon që të arrihet barazia gjinore 50/50 në të gjitha institucionet publike, nuk po përfillet. Arton Demhasaj, nga organizata jo-qeveritare “Çohu”, këtë e konsideron shkelje të ligjit.
“Numri i caktuar i kandidatëve që janë tash kandidatë për deputetë, kanë qenë deputetë në legjislaturat e kaluara dhe vetë e kanë votuar Ligjin për barazi gjinore, ku thuhet se duhet të arrihet barazia gjinore në të gjitha institucionet publike 50/50. Vetë fakti se partitë politike nuk po i propozojnë 50 % të listave me gjininë femërore, mendoj se është shkelje e ligjit për barazi gjinore. Kjo nuk do të duhej të ndodhte, por po shihet se nuk ka vullnet politik për të zbatuar këtë”, tha ai për televizionin publik.
Fatkeqësisht shumica e partive politike vazhdojnë të qëndrojnë te pragu i cili i obligon ata që me Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, të respektohet kuota prej 30 % të përfaqësimit të grave në listat zgjedhore.
Mexhide Demolli, nga organizata jo-qeveritare “Fol”, thotë se ligjet duhet të harmonizohen.
“Këto lista që ne i kemi parë, përveç Vetëvendosjes e cila ju dha hapësirë më të madhe grave edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e cila e ka kaluar pak kuotën me 30.9 % , kurse dy partitë që konsiderohen të mëdha si PDK e LDK vazhdojnë të qëndrojnë te 30 %, gjë që nuk do të duhej të ndodhte, ligjet duhet të harmonizohen”, tha ajo.
Subjektet politike ditë më parë publikuan listat zgjedhore.
Përfaqësimi i femrave në këto lista është në kuadër të Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, kurse Lëvizja Vetëvendosje radhitet si subjekti politik, i cili u dha më së shumti hapësirë femrave me mbi 35%.