image Rada Trajkoviq po kërkon të bëhet deputete e Kuvendit të Kosovës

Politikë

Rada Trajkoviq po kërkon të bëhet deputete e Kuvendit të Kosovës

news image

Përfaqësuesit e subjekteve politike nga radhët e komunitetit serb që morën pjesë në zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë shprehen të gatshëm për të marrë mandatet parlamentare të rezervuara për komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës.

Ata shprehen se është e nevojshme që serbët të kenë përfaqësuesit e tyre në parlament.

Politikanët serbë shprehen të gatshëm që t’i pranojnë mandatet në Kuvendin  e Kosovës, pas dorëheqjes së deputetëve të Listës Serbe.

Rada Trajkoviq, kandidate e Iniciativës Qytetare “Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë”, thotë se serbët duhet të jenë pjesë e Kuvendit të Kosovës dhe për këtë arsye shpreh gatishmërinë që ta pranojë mandatin e deputetes nëse i besohet.

“Do të ishte mirë që ata të zënë vendet e tyre në Kuvendin e Kosovës, duke më përfshirë edhe mua në mesin e tyre, që kuvendi të mos jetë pa serbë, gjë, që për mua është një problem i madh. Është në të njëjtën kohë një mbështetje për ata për të cilët askush nuk flet, që janë serbët e harruar në komunat e tjera të Kosovës”, tha ajo.

Edhe kryetari i Partisë Demokratike Progresive, Nenad Rashiq, mendon se është e nevojshme që serbët të jenë pjesë e Kuvendit të Kosovës, sepse është një nga mekanizmat për zgjidhjen e sfidave me të cilat ballafaqohen pjesëtarët e komunitetit  serb.

“Ne besojmë se e vetmja mënyrë se si mund të përpiqemi t’i mbrojmë serbët dhe veçanërisht serbët e jugut, për të cilët nuk është folur fare në muajt e fundit është të luftojmë me mjetet që kemi në dispozicion. Këto janë mjete që mund të sigurohen përmes institucioneve të Kosovës në mënyrë të rregulluar me ligj”, tha ai për Radio Kosova.

I pyetur nëse do të marrë pjesë në zgjedhjet lokale në komunat në veri të Kosovës, Rashiq tha se nuk ka përgjigje për këtë pyetje.

Dhjetë anëtarë të Listës Serbe, një ministër në qeveri dhe të gjithë kryetarët e katër komunave në veri të Kosovës, në fillim të javës së kaluar kanë  dorëzuar dorëheqjet në Kuvendin e Kosovës dhe në institucionet e tjera, në shenjë proteste kundër vendimit  të  Qeverisë së Kosovës  në lidhje me regjistrimin e automjeteve nga targat ilegale në RKS.

/GazetaSinjali/