Një studim i një institucioni prestigjioz mbi koronavirusin po krijon debate pafund në Francë.
Sipas studimit të një ekipi shkencor, ku bëjnë pjesë emra të njohur si epidemiologia Florence Tubach dhe neurobiologu Jean-Pierre Changeaux, pacientët me COVID-19 që kanë vrojtuar në spitalin parisien La Pitie-Salpetriere treguan një karakteristikë të paparashikuar.
Sipas të dhënave të mbledhura, vetëm 4.4% e 343 pacientëve të shtruar me koronavirus, me mesatare 65 vjeç, ishte duhanpirës i zakonshëm.
Mjekët ekzaminuan edhe 139 pacientë të tjerë, kësaj radhe me simptoma më të lehta dhe më të rinj, dhe rezultati nuk ndryshoi shumë, vetëm 5.3%.
Një e dhënë befasuese, duke menduar se duhani gjykohej si faktor rreziku, nga momenti që COVID-19 krijon probleme të rënda në mushkri.
“Rezultatet flasin qartë, duhanpirësit kanë më pak probabilitet të zhvillojnë këtë infeksion, se pjesa tjetër e popullsisë”, deklaroi Florence Tubach, që shtoi se “rreziku në duhanpirësit bie me katër ose pesë herë, diçka e rrallë në mjekësi”.
Sipas studiuesve, shkaku duhet të gjendet tek nikotina, dhe jo duhani në përgjithësi. “Hipoteza thotë se duke u lidhur me të njëjtët receptorë celularë ku lidhet edhe koronavirusi, nikotina i ndalon këtij të qëndrojë”, shton neurobiologu Changeaux, i Institutit Pasteur.
Një studim i ngjashëm u botua në” New England Journal of Medicine” nga disa studiues kinezë, gjatë muajit të marsit, por rezultatet nuk ishin kaq të theksuara.
Studimi do të vijojë me eksperimentimin e përdorimit të disa ngjitësve me nikotinë në disa pacientë në terapi intensive, por edhe në faza fillestare, për të përcaktuar efektet e vërteta.
Lajmi po bën xhiron e botës, por ministri i Shëndetësisë franceze Olivier Veran deklaroi, pas botimit të sotëm në revistën Oeios, që “opinioni publik nuk duhet t’i turret farmacive për të blerë nikotinë, pasi do të ngjallte shpresa të pabazuara, dhe do të krijonte duhanpirës të rinj”.
Në Francë, janë pothuajse 160 mijë të prekurit nga COVID-19, dhe më shumë se 21 mijë viktimat. /Gazeta Sinjali/