image Delegacioni i Kosovës avokon për anëtarësim në Këshillin e Evropës

Politikë

Delegacioni i Kosovës avokon për anëtarësim në Këshillin e Evropës

news image

Delegacioni nga Republika e Kosovës, në drejtimin e Kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, ndodhet në Strasburg, Francë, për të avokuar për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës (KiE).

Në delegacionin e kryeparlamentarit Konjufca janë, Saranda Bogujevci, në cilësinë e kryesueses së delegacionit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare, zëvendësministri për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Kreshnik Ahmeti, si dhe deputetët Arben Gashi, Besnik Tahiri, Enis Kervan dhe Znj. Arjana Musliu-Shoshi. Ky delegacion përfaqëson përkushtimin e spektrit politik të Kosovës për të arritur anëtarësimin në KiE.

Në mes takimeve kyçe që delegacioni ka marrë pjesë dje ishte diskutimi në Komitetin e Çështjeve Politike dhe Demokracisë, ku kryetari Konjufca ka prezantuar rastin e Kosovës për anëtarësim. Në takim u diskutuan çështje të rëndësishme që afirmojnë të arriturat e Kosovës në vitet e fundit dhe adresojnë rekomandimet nga raporti i Juristëve Eminent.

Përveç kësaj, delegacioni u takua me personalitete të rëndësishme nga grupe të ndryshme politike, duke përfshirë Béatrice Fresko-Rolfo, Raportuesen për Kosovën në Komitetin për Barazi dhe Mosdiskriminim, me delegacionin kombëtar të Francës, me z. Iulian Bulai, Kryetarin e Grupit ALDE, dhe deputetë e përfaqësues të pëhershëm të vendeve anëtare.

Kryetari Konjufca, së bashku me anëtarët e tjerë të delegacionit, do të realizojnë sot edhe takime të tjera të rëndësishme.

/GazetaSinjali/