Për anëtarët e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, të gjeturat në raportin e Auditimit për Pasqyrat Vjetore Financiare të vitit 2019 për Stacionin e Autobusëve janë shqetësuese.
Sipas tyre, këto të gjetura tregojnë se gjatë vitit të kaluar ka pasur keqpërdorime.
Një gjë të tillë e tha edhe anëtarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vlora Hajnuni, e cila theksoi se të gjeturat nënvizojnë se parat e mbledhura te biletave nuk janë dorëzuar në fund te ditës.
“Mjetet e mbledhura të biletave dhe mos dorëzimi në kohë. Është e papranueshme që të mos dorëzohen për shtatë ditë, sepse keqpërdorimi i tyre mund të jetë i madh. Çështja tjetër është pagesa e punëtorëve me kontratë mbi vepër”, tha ajo.
Kryesuesi i Bordit të Stacionit të Autobusëve, Faton Raci para anëtarëve u shpreh se shpenzimet më të mëdha janë për paga.
“Mbi 47 mijë të hyra nga inkasimi. Gjatë vitit të 2019, 129 mijë të hyra nga parkingu. Shpenzimet për paga kanë qenë mbi 893 mijë. I kemi ulur në 829 mijë”, u shpreh ai.
Kryeshefi i stacionit të autobusëve, Luan Hoti theksoi se kjo ndërmarrje nuk është menaxhuar mirë, me 100 punëtorë ku 80 për qind e buxhetit ka shkuar në paga.
Ai ka përmendur rastet edhe kur ish-kryeshefi ia kishte rritur pagën vetës ilegalisht.
“Janë 19 gjetje të vitit 2017 dhe 2018 ku disa nga rekomandimet janë zbatuar. Në shumicën e të gjeturave jemi pajtuar. Nuk pajtohem që nuk ka plan të veprimit, me krenari them që 99 për qind të këtyre rekomandimeve i kemi zbatuar”, tha ai.
Kryetari i Komisionit, Bedri Hamza tha se ky raport tregon se kjo ndërmarrje ka vend për shumë përmirësime.
Ndërsa, deputetja Besa Gaxherri tha se bordi aktual dhe kryeshefi duhet të ngrisin padi për keqpërdorimet që janë bërë deri më tani në këtë ndërmarrje publike.