Ambasadori i Kosovës në Francë, Qëndrim Gashi, ditë më parë shpërndau në profilin e tij në Twitter një artikull të një gazete franceze, i cili fliste për kronologjinë e aktit terrorist ndaj një mësuesi francez dhe i cili përmbante disa karikatura të profetit Muhamed, raporton Gazeta Sinjali.
Ky postim i Gashit nxiti reagime të shumta të qytetarëve në Kosovë, madje për këtë postim ai thotë se edhe u kërcënua.
“Kuptohet që qëllimi im nuk ishte që të ofendoja dikë dhe më vjen shumë keq kur pash njerëz që mund të jenë të lënduar sepse nuk i kanë ditur detajet e kontekstin e artikullit gazetar. Për më shumë, unë s’do ta bëja kurrë një ofendim komunitar nga çfarëdo pozite zyrtare, për arsye njerëzore e jo nga konsekuencat e mundshme ligjore. Kushdo që dyshon se unë kam shkelur ligj duke e shpërndarë një artikull që e jep kronologjinë e një akti terrorist, le të më sfidon në gjykatë, në Kosovë ose Francë. Kështu duhet të zgjidhen dilemat në shoqërinë tonë, përmes ligjit, e jo përmes kërcënimeve e dhunës”, ka shkruar ai ndër të tjera në Facebook.
Këto kërcënime ai thotë se i ka raportuar në organet e drejtësisë.
“…doli një deklaratë linçuese ndaj meje dhe ajo i nxiti disa fanatikë që jo vetëm të më ofendojnë e shajnë me gjuhë vulgare (edhe pse ata pretendonin se dikush kishte bërë një vulgaritet!) por edhe të më dërgojnë mesazhe kërcënuese, të cilat i raportohen organeve të rendit. Unë nuk e përkrah e as arsyetoj dhunën”, ka shkruar ambasadori.
Ai premton se do të mbrojë përherë lirinë e mendimit, të informimit e të shprehjes.
“Unë do të solidarizohem përherë me viktimat. Do ta mbroj përherë me ngulm lirinë besimit e të mos-besimit. Do të punoj gjithmonë për tolerancë. Por, toleranca nuk avancohet me mosdije e mos-informim. Andaj do të punoj për mbrojtjen e lirisë së mendimit, të informimit e të shprehjes. Si mysliman, si katolik, si ortodoks, si hebre, si protestant, si anëtar i tarikateve, si bektashi, si ateist… Si shtetas i Republikës së Kosovës. Unë, biri yt, Kosovë”, ka përfunduar ai./Gazeta Sinjali/