Pacientët e akomoduar për trajtim në spitalin e Sofjes, “Pirogov” pas aksidentit tragjik në autostradën “Struma” në Bullgari, përgjithësisht janë në gjendje stabile dhe të mirë, kanë njoftuar nga ky institucion mjekësor.
Aktualisht në Klinikën e Djegieve dhe Kirurgjisë Plastike janë katër pacientë të cilët e kanë kaluar natën në përputhje me pritshmërinë e stafit mjekësor të spitalit, raporton gazeta bullgare, Trud.
Në Klinikën e Neurokirurgjisë është shtruar një pacient me frakturë, i cili iu nënshtrua operacionit në fillim të kësaj jave. Operacioni i shtyllës kurrizore rezultoi i suksesshëm dhe procesi i rikuperimit ishte pa komplikime. I njëjti pacient i është nënshtruar një operacioni të suksesshëm në pjesën e poshtme të këmbës në Klinikën e Ortopedisë dhe Traumatologjisë.
45 persona, shumica shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, kanë humbur jetën në rrethana tragjike në orët e para të mëngjesit të së martës, pasi një autobus është përfshirë nga flakët në një autostradë në perëndim të Bullgarisë. Në mesin e viktimave të aksidentit kishte edhe fëmijë. Në autobus besohet se kanë qenë mbi 50 persona./GazetaSinjali/