Teksa akrepat e orës shënuan 00:00, fishekzjarret shumëngjyrëshe organizuar nga bashkia lajmëruan ndërrimin e viteve dhe njëkohësisht edhe 100-vjetorin e shpalljes së Tiranës kryeqytet.
Siç është bërë traditë tashmë, sheshi “Skënderbej” ishte qendra e festimeve, ku ishin mbledhur qytetarë të shumtë edhe nga rrethet e tjera.
Festa nisi në orën 22:30 të mbrëmjes, me këngëtaret e njohura shqiptare Eneda Tarifa, Mariza Ikonomi dhe Elhaida Dani.
Pak para ndërrimit të viteve, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj dhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa uruan qytetarët në sheshin “Skënderbej”.
Veliaj tha se pavarësisht një viti me sfida që lamë pas, 2020 vjen plot shpresë.
“Viti 2020 është 100-vjetori i Tiranës. Ky vit na dha të kuptojmë se gjëja më e rëndësishme është jeta. Ne mund të kemi bindje të ndryshme, fe të ndryshme, mund të kemi ngjyra të ndryshme të lëkurës, por kemi vetëm një jetë. Ndaj, në emër të këtyre sfidave, vështirësive, në emër të gjithë atyre fatkeqësive që kaluam këtë vit, përqafojmë njëri-tjetrin plot shpresë, për një vit më të mirë dhe një zemër plot mirënjohje për Tiranën tonë”, tha Veliaj.
Kreu i Bashkisë shprehu bindjen se ndonëse Tirana u prek nga tërmeti, 2020 do të jetë viti i ringritjes së madhe, viti ku Tirana ecën më shpejt e lufton akoma më fort për të qenë një qytet europian.
Veliaj i bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të ndihmojnë ekonominë, duke punësuar një person të prekur nga tërmeti apo duke adoptuar ndërtimin e një banese ose institucioni arsimor.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës përshëndeti edhe vëllezërit dhe motrat tona në trevat shqiptare, si dhe në diasporë. “Tirana e një milionëve, që mezi pres jo vetëm të mbushi 100-vjetorin, por në vitin 2022 është përzgjedhur Qyteti Europian i Rinisë. Dua të përshëndesim të gjithë vëllezërit dhe motrat tona në Kosovë, në Maqedoni, vëllezërit dhe motrat në Preshevë, Mal të Zi, ata që janë në Australi, në Hollandë, në Kanada, në Amerikë, në Belgjikë, Gjermani e kudo ku flitet dhe ku rreh zemra shqip”, tha Veliaj.
Më herët, Kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe Kryeministri Edi Rama vizituan familjen Tafa në Kombinat, të cilën nata e ndërrimit të viteve e gjeti në banesën e re të rindërtuar nga e para, pas tërmetit të shtatorit. Tre engjëjt e vegjël të kësaj familje pesë anëtarëshe kanë tashmë jo vetëm një banesë të re, por edhe kushte më të mira për t’u rritur e mësuar.