Avokatët britanikë të Nasim Haradinajt, që po mbahet i paraburgosur në Hagë nga Gjykata Speciale, ditë më parë kërkuan përjashtimin e kryetares së kësaj gjykate Ekaterina Trendafilova dhe të zv.presidentit Charles L. Smith, që është gjyqtar në rastin e ish-nënkryetarit të OVL të UÇK. Mirëpo kjo kërkesë është refuzuar nga Specialja.
Gjykata “hedh poshtë kërkesën për përjashtimin apo diskualifikimin e Presidentit të DHSK-së në lidhje me funksionet gjyqësore dhe administrative. Hedh poshtë si të diskutueshme kërkesën për përjashtimin apo diskualifikimin e zëvendës presidentit”, thuhet në vendimin e Gjykatës.
Tutje në vendim thuhet se kërkesa për përjashtim e mbrojtjes së Haradinajt, bazohet në keqinterpretime të komenteve të bëra në takimet që kryetarja e Speciales kishte me shtete të ndryshme.
“Parashtrimet e Mbrojtjes në këtë drejtim bazohen ekskluzivisht në keqinterpretimin e tyre të komenteve të bëra në takime diplomatike dhe të nxjerra nga shënime përmbledhëse të një burimi anonim. Prandaj, Presidentja refuzon të përjashtojë vetën mbi bazën e argumenteve të Mbrojtjes nga ushtrimi i funksioneve administrative në këtë rast të caktuar nga kuadri ligjor i DHSK-së”, thuhet tutje në vendim.
Specialja i është përgjigjur kërkesës së Mbrojtjes edhe në lidhje me përjashtimin gjyqësor të kryetares së këtij institucioni.
Në vendim thuhet se kryetarja e DHSK-së nuk ka asnjë kapacitet juridik në çështjen e Nasim Haradinajt, prandaj kërkesa e Mbrojtjes hidhet poshtë.
Specialja e ka hedhur poshtë njëjtë edhe kërkesën për përjashtimin e zv.kryetarit të DHSK-së dhe gjyqtarit Smith nga çështja Haradinaj.
Kujtojmë se Nasim Haradinaj akuzohet për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë që përfshinë pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësimin e dëshmitarëve, hakmarrjen dhe shkeljen e fshehtësisë së procedurës.