Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), çdo vit 8.8 milionë njerëz vdesin nga kanceri, shumica në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.
As në Kosovë nuk është gjendje më e mirë. Në vitet e fundit është rritur numri i personave të prekur nga kanceri.
Përmes ndërmarrjes së hapave për zbatimin e udhëzimit të ri të OBSH-së, planifikuesit e kujdesit shëndetësor mund të përmirësojnë diagnostikimin e hershëm të kancerit dhe të sigurojnë trajtimin e menjëhershëm, sidomos për llojet e kancerit të gjirit, cerviksit dhe atë kolorektal. Kjo do të rezultojë me më shumë njerëz që i mbijetojnë kancerit.
Të gjitha vendet mund të ndërmarrin hapa për të përmirësuar diagnostikimin e hershëm të kancerit, sipas Udhëzuesit të ri të OBSH-së për diagnostikimin e hershëm të kancerit tre hapat e diagnostikimit të hershëm janë:
Përmirësimi i ndërgjegjësimit publik për simptomat e llojeve të ndryshme të kancerit dhe inkurajimi i njerëzve që të kërkojnë kujdesin kur paraqiten ato simptoma.
Investimi në fuqizimin dhe pajisjen e shërbimeve shëndetësore dhe trajnimin e profesionistëve shëndetësorë ashtu që ata të mund të kryejnë diagnostikimin e saktë dhe me kohë.
Sigurimin që njerëzit që jetojnë me kancer të mund t’i qasen trajtimit të sigurt dhe efektiv, përfshirë zbutjen e dhembjes, pa përjetuar vuajtje frenuese personale apo financiare.
Ndryshe, Klinika e Onkologjisë dhe Shoqata e Onkologëve të Kosovës (SHOK) do të shënojnë këtë ditë me një aktivitet.
Po ashtu, ish-presidentja Atifete Jahjaga do të vizitojë shoqatën e pacientëve me kancer të gjirit “Renesansa” në Prizren. /Gazeta Sinjali/