Sot pritet të mbahet protestë para Rektoratit të Universitetit të Prishtinës për shkarkimin e Ardian Kastratit i cili është profesor, shkruan Gazeta Sinjali.
Kjo ka ardhur pasi Kastrati të dielën kur edhe po zgjidhej presidentja Vjosa Osmani, ka bërë një status në profilin e tij në Facebook duke cituar një përshkrim të shkrimtarit Faik Konica, i cili është marrë si ofendim ndaj saj.
“Gjithmonë më ka pëlqyer shumë satira e Faik Konicës. Në një shkrim të botuar në ‘ Gazeta Dielli’ mes tjerash gjeta këtë përshkrim satirik të Konicës (për një ish zyrtare të lartë të Stambollit) që sonte më bëri të qesh me lot: ‘…një fshatarake me një bark si kadë e me këmbë si magje, me një palë duar të trasha e të pjekura, e me një fytyrë të fryrë e të kuqe si piper t’Ohrit’”, ka shkruar ai.
Më vonë Kastrati e ka fshirë postimin e më pas ka mohuar se ai i është kushtuar Osmanit apo kujtdo tjetër.
Ndërkohë që nga Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim është paralajmëruar protestë nga ora 11:00. Gjithashtu është ngritur peticion për shkarkimin e Kastratit nga pozita e profesorit në Universitetin e Prishtinës. /Gazeta Sinjali/