image “Sot na paske lanë o Mexhid”, reagojnë familjarët e 35-vjeçarit që vdiq në vendin e punës

Sociale

“Sot na paske lanë o Mexhid”, reagojnë familjarët e 35-vjeçarit që vdiq në vendin e punës

news image

Gazeta Sinjali sot raportoi për një ngjarje të rëndë të ndodhur të dielën në mbrëmje në Prishtinë, ku një burrë humbi jetën tragjikisht në vendin e punës. I ndjeri nuk mundi t’i përballojë plagët që i mori nga disa panele druri të cilat i ranë përmbi. 35-vjeçari ishte duke punuar në punëtorinë “Enisi”.

Burimet nga Emergjenca kanë bërë me dije se viktima që humbi jetën është Mexhid Raqi, 35-vjeçar, vdekjen e të cilit e ka konstatuar ekipi mjekësor pasi u dërgua në Qendrën e Mjekësisë Familjare.

Për vdekjen e 35-vjeçarit ka njoftuar edhe babi i tij, Hanefi Raqi i cili me pikëllim të thellë kumtoi lajmin për humbjen e djalit.

“Ju njoftojm me pikëllim të thellë se sot ndërroj jetë djali Mexhid H. Raçi. Allahu e mëshiroft me xhennet. Për varrimin do ju njoftojm”, u shpreh ai.

Edhe të afërmit e tjerë e shokët e të ndjerit, ndanë publikisht dhimbjen për humbjen e Mexhidit.

Sinjali mëson se lidhur me rastin në cilësinë e personit të dyshuar është intervistuar pronari i punëtorisë, i cili ka deklaruar se 35-vjeçari nuk ka qenë punëtor i tij, por vetëm iu ka ndihmuar.

Ndryshe, në vendin e ngjarjes njësitet policore përkatëse kanë intervenuar posa rasti është raportuar, ndërsa trupi i pajetë është dërguar më pas në IML për obduksion.

Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale në Prishtinë, me ç’rast është bërë e ditur se rasti është iniciuar në drejtim të veprës penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.

“Është raportuar se viktima mashkull kosovar kishte pësuar lëndime trupore pasi e kishin zënë disa panele druri. Lidhur me rastin, viktima është dërguar në QMF Prishtinë dhe nga mjeku kompetent është konstatuar vdekja e tij.  Njësitë relevante policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion.”

/GazetaSinjali/