image Sot mblidhet Komisioni i Posaçëm për parandalimin e përhapjes së koronavirusit

Kosovë

Shëndetësi/ Sot mblidhet Komisioni i Posaçëm për parandalimin e përhapjes së koronavirusit

news image

Komisioni i Posaçëm për parandalimin e përhapjes së koronavirusit do të mblidhet sot pët herë të parë.

Komisioni ka detyrë ta menaxhojë procesin e parandalimit të infeksionit COVID-19 në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, përfshirë edhe kontrollin e zbatimit të ligjeve dhe akteve tjera nënligjore për mbrojtjen e konsumatorëve përmes organeve të autorizuara të administratës shtetërore.

Komisioni kryesohet nga kryeministri Albin Kurti, ndërsa anëtarë të tij janë edhe zëvendëskryeministri Avdullah Hoti, ministrat Arben Vitia, Agim Veliu, Besnik Bislimi, Hykmete Bajrami, Anton Quni, Rozeta Hajdari dhe Emilija Rexhepi.

Po ashtu, pjesë e komisionit janë kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Valon Prestreshi, drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Menaxhimit Emergjent, Fadil Kodra, drejtori ATK-së, Ilir Murtezaj, drejtor i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, u.d. i drejtorit të Doganës, Ibrahim Xhaka, komandanti i FSK-së, Rrahman Rama, drejtor i AUV-it, Valdet Gjinovci, si dhe përfaqësues të inspektoriateve.

Komisioni përmes organeve kompetente do ta mbikëqyrë gjithashtu edhe zbatimin e Ligjit për Mbrojtjën e Konsumatorit në mënyrë që të mbrohen qytetarët nga abuzimi me çmime të produkteve medicinale dhe ushqimore.

Komisioni do të mbikëqyrë punën e të gjitha institucioneve relevante që janë në kompetencë të qeverisë dhe të koordinohet me institucionet tjera kushtetuese sipas rastit.

Komisioni ndër të tjera, siguron që materialet e domosdoshme të shpërndahen nëpër qendrat mjekësore në të gjitha komunat, tek policia, doganierët, policët kufitarë dhe të gjitha shërbimet e tjera emergjente.

Komisioni është i obliguar t’i propozojë Qeverisë për miratim masa parandaluese sipas legjislacionit në fuqi. /Gazeta Sinjali/