image Sot mbahet takimi i parë i Komitetit Monitorues BE – Kosovë për Instrumentin për Reforma dhe Rritje

Politikë

Sot mbahet takimi i parë i Komitetit Monitorues BE – Kosovë për Instrumentin për Reforma dhe Rritje

news image

Kosova dhe Bashkimi Evropian do të zhvillojnë sot mbledhjen inauguruese të Komitetit Monitorues për Instrumentin për Reforma dhe Rritje, në kuadër të bashkëpunimit për zbatimin e agjendës reformuese.

Sipas njoftimit të Zyrës për Komunikim Publik të Qeverisë së Kosovës, takimi është planifikuar të nisë në orën 09:00.

Ky mekanizëm është pjesë e Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, i cili synon të përshpejtojë procesin e afrimit të vendeve të rajonit me strukturat evropiane dhe të nxisë zhvillimin ekonomik e institucional.

Përmes Instrumentit për Reforma dhe Rritje (RGF), vendet partnere përfitojnë mbështetje financiare të kushtëzuar me zbatimin e reformave të rëndësishme, të cilat pritet të kenë ndikim pozitiv si për qytetarët, ashtu edhe për komunitetin e biznesit.

Në rastin e Kosovës, Agjenda e Reformave përfshin masa konkrete dhe afate të përcaktuara në pesë fusha prioritare: administratën publike dhe menaxhimin e financave publike, tranzicionin e gjelbër dhe digjital, zhvillimin e sektorit privat dhe klimës së biznesit, kapitalin njerëzor dhe të drejtat themelore, si dhe forcimin e sundimit të ligjit.

“Komiteti Monitorues BE–Kosovë për RGF-në shërben si organi kryesor për dialog, mbikëqyrje dhe koordinim të zbatimit të këtij instrumenti në Kosovë. Qëllimet e Komitetit janë: të shqyrtojë progresin dhe gjendjen e përgjithshme të reformave dhe investimeve në kuadër të Agjendës së Reformave, në përputhje me objektivat e përcaktuara në këtë agjendë dhe në Rregulloren (BE) 2024/1449 për krijimin e Instrumentit për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor, të mbështesë transparencën, llogaridhënien dhe koordinimin efektiv ndërmjet të gjitha palëve të përfshira në zbatimin e RGF-së, të lehtësojë shkëmbimin e informacionit ndërmjet institucioneve të Kosovës, BE-së dhe akterëve të tjerë për të adresuar sfidat dhe për të optimizuar rezultatet dhe të promovojë përfshirjen gjithëpërfshirëse dhe ndërgjegjësimin mbi objektivat dhe zbatimin e Agjendës së Reformave dhe RGF-së”, njofton Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/