Lena Nikulina nga Kievi tregoi se si është situata në Ukrainë, pas sulmeve me raketa nga Rusia mëngjesin e ditës së sotme.
Nikulina theksoi se mbi 10 persona kanë humbur jetën, ndërsa për momentin u shpreh se situata është e qetë.
E reja tha se ka strehuar disa miq në shtëpinë e saj.
“Po të gjithë i dëgjuan serinë e shpërthimeve, dëgjuan dhe alarmin e bombardimeve, mbi 10 shpërthime ndodhën në qytet në zona të ndryshme. Mbi 10 persona kanë vdekur për shkak të sulmeve. Aktualisht situata është e qetë, pak a shumë si ditët e para të luftës, pro askush nuk ka frikë. Unë kam strehuar disa miq të mi këtu në shtëpinë time për t’iu ardhur në ndihmë. Ata do të kalojnë natën këtu në shtëpinë time. Mund të dalim lirshëm por jo pas orës 23 për shkak të shtetrrethimit”- theksoi ajo në një lidhje të drejtpërdrejt për Euronews Albania,
Më tej ajo theksoi se nuk frikësohet nga Rusia dhe nuk e ka ndërmend që të largohet nga Ukraina për shkak të sulmeve.
“Jo ishte e frikshme në një moment të caktuar por tani po vazhdojmë, po ecim përpara dhe do të vazhdojmë të ecim përpara. Shumica e sulmeve ndodhën në qendër dhe unë nuk banoj afër qendrës. Jo unë e dua Ukrainën dhe nuk e kam ndërmend të lëviz. Nuk duket se lufta do të mbaroj së shpejti, por një ditë do të mbarojë dhe do të marrë fund kalvari i viktimave”-nënvizoi e reja.