image Skandaloze: Eksperimentimet me produkte pa afat në klinikat estetike, Inspektorati Shëndetësor askund - Sinjali

Skandaloze: Eksperimentimet me produkte pa afat në klinikat estetike, Inspektorati Shëndetësor askund

news image

Gazeta Sinjali në maj publikoi hulumtimin për ordinancën “Facial.Am”, e udhëhequr nga ‘doktoresha’ e vetëshpallur Mirlinda Berisha (Dr.Linda), e cila me vite kishte trajtuar pacientë me metoda invazive të injektimit të fillerëve dermalë dhe botoxit në fytyrë, pa qenë fare doktoreshë. Përveç që Mirlinda Berisha nuk kishte qenë doktoreshë, as e ashtuquajtura ordinancë nuk kishte qenë e licencuar asnjëherë në Ministrinë e Shëndetësisë.

Pas këtij artikulli të publikuar, në redaksinë e Sinjalit kanë arritur shumë ankesa nga pacientët që ishin trajtuar në këtë ordinancë por edhe në ordinanca të tjera të ngjashme. Sipas këtyre ankesave, sikur Dr. Linda, ishin edhe shumë doktoresha të tjera, që kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë trajtime të pandërgjegjshme dhe me produkte të dyshimta. Sinjali ju sjellë rastin tjetër, ku bëhet fjalë për Dr. Fitore Boshnjaku Halili, e cila udhëheqë ordinancën stomatologjike “Dentaris”.

Në profilin e saj në Instagram, Dr . Fitorja ka publikuar një ‘storie’ ku njofton se ka bërë një procedurë të injektimit të plazmës së ndarë nga gjaku i një pacienti, për injektim në kokë, me qëllim regjenerimin e flokëve. Ajo çka shihet qartë është se tubat, që janë përdorur për t’i injektuar te pacienti kanë afat të skaduar. Pra në tuba shkruan që afati i skadencës është më 19 maj 2021, ndërsa fotoja është publikuar më 26 korrik, shkruan Gazeta Sinjali.

Por kjo nuk është e gjitha. Gazeta Sinjali ka mësuar se tubat që janë përdorur nga doktoresha Fitore Boshnjaku Halili për procedurën PRP, janë të ashtuquajtura “Blood Collection Tubes”, pra tuba për marrjen e gjakut. Këta tuba bëjnë pjesë në pajisjet IVD (in vitro diagnosis), pra janë tuba për përdorim në laborator, për marrjen e gjakut, për diagnostikim dhe jo tuba prej të cilave mund të injektohet pastaj gjaku. Kjo është e rregulluar edhe me udhëzuesin “GUIDELINES ON MEDICAL DEVICES”.

Një gjë e tillë vërtetohet nga vetë storia e doktoreshës, në Instagram, e cila ka reklamuar produkte fillimisht me afat të skaduar, e të cilat edhe po të kishin afat, nuk do të duhej të përdoreshin. Për një gjë të tillë, siç duket nuk ka informacione as pacienti, të cilit doktoresha ia ka injektuar plazmën e gjakut në kokë.  

Një procedurë e tillë, sipas postimeve të doktoreshës në Instagram, është bërë edhe më parë.

Gazeta Sinjali ka kontaktuar doktoreshën për të marrë një përgjigje nga ajo, lidhur me këto raste, por e njëjta nuk është përgjigjur as në thirrjet e as në mesazhet e dërguara nga Sinjali, në disa rrjete sociale.

E siç duket inspektoriati i Ministrisë së Shëndetësisë është ende në gjumë, derisa eksperimentime të tilla me pacientë po vazhdojnë.

Ndërhyrje të tilla nuk po bëhen vetëm në këto ordinanca. Gazeta Sinjali së shpejti do të sjellë edhe disa raste skandaloze të ordinancave e doktoreshave, duke ‘punuar’ pandërgjegjshëm në fytyrat e klientëve që u besojnë, por nuk janë në dijeni për trajtimin që u bëhet atyre.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e saj të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin