image Skandaloze: Apeli për ndihmë ndaj Rion Gashit, 2-vjeçarit me "Leukemi Akute", është mashtrim

Skandaloze

Skandaloze: Apeli për ndihmë ndaj Rion Gashit, 2-vjeçarit me “Leukemi Akute”, është mashtrim

news image

Nuk janë të rralla kërkesat për ndihmë për shërim jashtë vendit që hasen në rrjete sociale dhe në media në përgjithësi.

Shumica e këtyre rasteve janë fëmijë të prekur me Leukemi Akute.

Zakonisht apelet për ndihmë kanë të bashkëngjitura edhe të dhënat, fotografinë dhe dokumentet e mjekut, të cilat vërtetojnë diagnozën e personit për të cilin po kërkohet ndihmë.

Por, një rast i ngjashëm nuk ishte ai i Rion Gashit, 2-vjeçarit, i cili sipas familjes së tij, ka lindur me Leukemi Akute Lymphoblastic.

Mungesa e dokumenteve që dëshmojnë sëmundjen e Rionit, nxitën dyshimet e Gazetës Sinjali se rasti mund të jetë një mashtrim, por jo vetëm.

Ka ditë që familja e tij, nëna e paraqitur me emrin Zade dhe babai i paraqitur me emrin Afrim Gashi, kanë shpërndarë në media dhe në rrjete sociale apelin për ndihmë për t’i siguruar 110 mijë euro, sa thonë se kushton shërimi i tij në Turqi.

Në apelin për ndihmë ata pretendojnë se 30 mijë euro nga shuma e nevojshme për trajtim, janë siguruar nga Qeveria e Kosovës dhe se ju duhen edhe 90 mijë të tjera, 10 mijë më shumë sesa që thonë se kushton shërimi i 2-vjeçarit.

Gazeta Sinjali ka kontaktuar me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore, në kuadër të të cilit gjendet Zyra për Trajtim Jashtë Institucioneve Publike (TMISHP), për të kuptuar nëse është ndarë një fond i tillë për këtë rast. Mirëpo, nga ky fond i kanë thënë gazetës se në listën e tyre nuk është asnjë person me këtë emër.

“Ju konfirmoj se Fondi i Sigurimeve Shëndetësore si institucion publik, në kuadër të te cilit kemi  zyrën për Trajtim Jashtë Institucioneve Publike (TMISHP), nuk rezulton të ketë pacient me emrin Rion Gashi, i cili ka aplikuar në bazë të procedurave të Udhëzimit Administrativ me nr.3/2017”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Ndërkaq, për mungesën e dokumenteve, babai i Rionit, Afrim Gashi, për Gazetën Sinjali u arsyetua që dokumentet janë në dosjen, e cila gjendet në spital, aty ku, sipas tij, është i shtrirë edhe 2-vjeçari.

Sidoqoftë, ai premtoi se do t’i dërgojë dokumentet e spitalit dhe ato të Ministrisë së Shëndetësisë, nga e cila thotë se janë ndarë 30 mijë euro, por një gjë e tillë nuk ndodhi, të paktën jo deri në momentin e publikimit të këtij artikulli.

 “Po, mundem në çfarë numri. Vetëm se duhet me ju dërgu më vonë, se janë në spital, se fëmija është në spital, janë në dosje. Duhet me i marrë në dosje, e me ju dërgu dokumentet në viber. Po, po dosja është në spital se është shtritë fëmija. Gruaja është në spital me fëmijë. Po nëse mundem me ju dërgu më vonë. Po, prej Ministrisë së Shëndetësisë i kemi marrë, mundem me ju dërgu dokumentet komplet. Kah mbrëmja ju dërgoj komplet”, kishte thënë ai.

Gazeta Sinjali ka provuar që të kontaktojë me Afrim Gashin sërish, por ai ka qenë i paqasshëm.

Dokumentet “që dëshmonin” sëmundjen e Rionit u publikuan në mediat e tjera, por Afrim Gashi nuk i dërgoi në adresë të Gazetës Sinjali, ashtu siç premtoi.

Për shkak të dyshimeve, Gazeta Sinjali e ka dërguar njërin nga dokumentet, i cili pretendohet se është lëshuar nga Klinika e Hematologjisë në adresë të kësaj klinike, për ta konfirmuar nëse dokumenti është origjinal.

Drejtori i kësaj klinike, Shemsedin Sadiku, tha për Gazetën Sinjali se ky dokument është i falsifikuar.

“Jo, ky dokument nuk është lëshuar nga ne. As vulat dhe as nënshkrimi nuk janë bërë nga ne. Ne, së pari, nuk lëshojmë vërtetime për fëmijë të diagnostikuar me këtë sëmundje, por vetëm për të rritur. Kam biseduar edhe me Fondin dhe u kam thënë edhe atyre që ky dokument është i falsifikuar”, tha Sadiku. 

Jo vetëm dokumenti i lëshuar nga Klinika e Hematologjisë u falsifikua nga apeluesit për ndihmë, por ata arritën të falsifikonin edhe disa dokumente të cilat, sipas tyre, janë nga një spital në Turqi, ku është diagnostikuar 2-vjeçari dhe ku gjoja do të bëhej kurimi i tij.

Mashtrimi nuk përfundoi vetëm me dokumente, Gazeta Sinjali ka arritur të gjejë se fotografia e bashkëngjitur në apelin për ndihmë, është marrë nga interneti. Bazuar në programet për verifikimin e fotografive, del se kjo fotografi është publikuar të paktën 5 vjet më parë, konkretisht më datë 11 shtator të vitit 2015, në blogun e një personi të quajtur Oleg. (Kliko KËTU për ta parë artikullin me këtë foto!)

Familja e Rionit ka dërguar në adresë të Gazetës Sinjali edhe letërnjoftimin e nënës së Rionit, e cila, sipas këtij dokumenti identifikues, është 67-vjeçare, 65 vjet më e vjetër se djali i saj.

Po ashtu, në këtë dokument shihet se emri i nënës së 2-vjeçarit është Zade dhe jo Zadie, siç shkruan në apel.

Përmasat e mashtrimit kanë arritur aq larg sa pre e këtij apeli ka rënë një bashkatdhetar, i cili jeton në Gjermani.

A.Z. (emër i njohur për redaksinë), ka hapur një fond në PayPal për të mbledhur mjete për “shërimin” e 2-vjeçarit.

Në një bisedë përmes telefonit, ai i tha Gazetës Sinjali se nuk e njeh familjen që e ka publikuar apelin, por vetëm është merakosur për të, pasi që e ka parë shumë shpesh në media dhe në rrjete sociale rastin e 2-vjeçarit. A.Z., tha se ka biseduar me familjen Gashi përmes numrit që ishte publikuar në apel dhe janë pajtuar që ai të marrë përsipër mbledhjen e të hollave nga bashkatdhetarët e tjerë në Gjermani.

Fondi në PayPal është hapur dy orë para se Gazeta Sinjali të kontaktojë me bashkatdhetarin, i cili tha se deri në ato momente ishin mbledhur 16 euro.

Pasi që e kuptoi që ky është një mashtrim, A.Z., njoftoi se e ka mbyllur fondin.

Gazeta Sinjali ka provuar të kontaktojë sërish me Afrim Gashin, i paraqitur si babai i 2-vjeçarit, por numri i tij edhe pas shumë tentimeve ka rezultuar i paqasshëm.

Apeli për ndihmë është ripublikuar nga disa media në vend edhe pak çaste para se ky artikull të publikohet./Gazeta Sinjali/