image Skandali në Spitalin Amerikan nxiti komente të shumta të qytetarëve për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor

Kosovë

Shëndetësi/ Skandali në Spitalin Amerikan nxiti komente të shumta të qytetarëve për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor

news image

Shkrimet e Gazetës Sinjali për skandalin në Spitalin Amerikan me pacientin nga Peja që që iu vendos stentë në zemër përkundër se pati sulm në tru nga bllokimi i arterieve të qafës, kanë nxitur shumë komente të qytetarëve, të cilët në profilin e gazetës, kanë rrëfyer përvojat e tyre të rënda në këtë institucion privat shëndetësor.

Shumica dërrmuese e komentuesve kanë pasur komente negative për shërbimin shëndetësor në këtë spital, duke u shprehur të tmerruar me atë që kanë përjetuar me familjarët dhe të afërmit e tyre.

Shumë prej tyre thonë se paraja është mbi të gjitha në Spitalin Amerikan, ndërsa në emër të përfitimit të saj luhet dhe rrezikohet me jetërat e pacientëve.

Gazeta Sinjali në këtë shkrim sjell disa prej shumë komenteve në formën origjinale sesi janë shkruar nga komentuesit, me qëllimin e vetëm që zëri i tyre të dëgjohet nga organet kompetente për hetim dhe ndërmarrjen e masave për përmirësimin e sistemit shëndetësor në vend.

Komentuesi Fadil Pervizaj ka deklaruar se tmerrin që e përjetojnë pacientat në Spitalin Amerikan si dhe familjarët e tyre është shumë i madh.

“E qova me e shërue nënën aty e për pesë ditë ja morën shpirtin, u informua policia, edhe mjekesia ligjore dhe sot e asaj dite që 15 muaj kurrfarë përgjigje as nga policia, as nga prokuroria dhe as nga mjekèsia ligjore!..”, ka thënë ai.

Ndërsa Alma Sadikaj thekson se ky spital që mban emrin Spitali Amerikan, nuk e ka asnjë mjek amerikan, çështje kjo, për të cilën kishte raportuar më herët Gazeta Sinjali

“Nuk ka asnje dyshim qe paraja eshte relevante ne kete spital dhe shume e vertete qe njerezit tu dhen shpirt i kan operu,anipse jan vdekur paret eshte dashur ti paguajn familjaret,shpesh duke hye edhe ne borgje apo kredina,me gjithe dhimbjen e madhe per humbjen e te afermve..”, është shprehur Sadikaj, në profilin e gazetës në facebook.

Ndërkohë qytetarja Klea Berisha gjatë një replike me një komentuese tjetër, thekson në këtë spital i kanë humbur analizat e motrës së saj ndonëse kishte paguar 100 euro për to.

“Analizat ja kemi ba motres 100 euro kur kemi shku me i marr keni than kan hup po ku guxojn analizat me hup.”, ka thënë ajo.

Egzona Avdiu Sylejmani  thekson se vetëm fati e shpëtoi vajzën e saj pasi vendosi që të mos ia  jap terapinë e përshkruar nga mjekët e Spitalit Amerikan të cilët sipas saj, i thanë se fëmija i është prekur nga një sëmundje e rrallë aziatike, terapi kjo që, sipas saj, doli të jetë e gabuar

“Fatekeqsisht edhe une nuk kam eksperienc te mire me kete spital,para 1 muaj e dergova vajzen time 9 muajshe prej gjendjes virale iu kishte bere gjuha e kuqe nga virozat dhe kishe diarre por perfundova me diagnozen e nje semundjeje te rralle e cila prek me se shumti njerezit ne vendet aziatike,ishte shokuese por fatmiresisht nuk i aplikova asnje terapi qe me ishte dhene ne ate spital dhe iu drejtova QKUK-se ku edhe zgjidhem problemin tone te vogel mirepo edhe ata ishin te befasuar nga diagnoza dhe terapit e pershkruara ????♀️.Kjo ishte nje mesim per mua se spitalet private jan 0 mirepo kur vjen ne pytje femiu ben qmos .” ka theksuar ajo.

Arton Mazrreku ndan një përvojë me nënën e tij kur është dashur të paguaj për gjakun e tij në Spitalin Amerikan.

”Kam pas Nenen smur prej zemres. U dasht gjak. E gjakun kam dhen nga trupi imë. Dhe prapMi kan marr 200€ per gjakun tim, e lere qe ka kushtu 3 stenda 13:200€ ka 4200€ per 1 stende. Lere kto po pse mi murren edhe 200€ per gjakun qe dhash nga Trupi imë. Ket krim smund ta kuptoj kurr” ka theksuar Mazreku

Ndërsa Florim Huruglica thotë se në këtë spital, siç shprehet ia kanë fshi 2.550 euro për një gur një milimetërsh që ia kanë hequr nënës së tij.

Berat Aliu thekson sesi i është dashur të parapaguaj për trajtimin e nënës së tij ndërsa thotë se në orën 00:00 të natës e ka marr një telefonatë me një kërkesë të çuditshme.  

“Une e kisha nënen ne ket spital . E kam qu me sheru , e kan mbajt ter diten ne spital na kerkun me bo 500€ parapagim , e ne ora 12 te nates tha hajde hiqne nanen se ka nevoj per dializ e ne skem ktu e menxi ma kan pranu spitali i shtetit . Tmerr aaa”

E komentuesi tjetër Ylber Shabani thekson se në Spitalin Amerikan, për personat e sëmurë rëndë, personeli i këtij institucioni i kërkon pagesat çdo mbrëmje, sepse sipas tij  drejtuesit e këtij spitali mendojnë vetëm për para.

Gazeta Sinjali do të vazhdojë të raportojë lidhur me shqetësimet e qytetarëve dhe përvojat e tyre si pasojë e papërgjegjësisë, mashtrimit dhe tajtimit të pandërgjegjshëm mjekësor qoftë në sektorin privat apo edhe në atë publik, me qëllimin e vetëm sensibilizimin për ndërmarrjen e masave për përmirësimin e sektorit të shëndetësisë i cili prej pas luftës përballet me problem të mëdha si pasojë e të cilave, qytetarët kosovarë detyrohen të kërkojnë shërim edhe jashtë vendit.   

Në vazhdën e kësaj, redaksia fton të gjithë sinjalizuesit të cilët dëshirojnë të ndajnë përvojën e tyre me lexuesit e Gazetës Sinjali që ti denoncojnë këto raste të papërgjegjësisë përmes ofrimit të dëshmive e fakteve të cilat provojnë trajtimin e pandërgjegjshëm mjekësor.  Gazeta Sinjali do ti trajtojë këto raste bazuar në standardet etike dhe profesionale duke ju dhënë mundësinë të gjitha palëve për ta dhënë mendimin e tyre./Gazeta Sinjali/