image Spitale amerikane e gjermane pa asnjë mjek nga këto shtete

Kosovë

Paradoks/ Spitale amerikane e gjermane pa asnjë mjek nga këto shtete

news image

Mjekësia në Kosovë, prej misioni të saj human është shndërruar në biznes për përfitimin e pacientëve përmes metodave të ndryshme të proklamimit të shërbimeve shëndetësore me standarde të larta perëndimore.

Drejtuesit e spitaleve private përdorin forma të ndryshme të lajthitjes së pacientëve për t`i joshur ata si klientelë, madje që nga emërtimi i spitaleve, me emra shtetesh, me mjekësi të avancuar.  

Në Kosovë ka Spital Amerikan e Klinikë Gjermane të Syrit, por për ironi, në këto institucione nuk e gjen asnjë mjek amerikan apo gjerman, shkruan Sinjali.

Në këto institucione private shëndetësore që mbajnë emra të “mëdhenj”, shumica dërrmuese e personelit shëndetësor janë vendës. Madje, shumë prej tyre janë të njëjtit që punojnë edhe në institucionet publike shëndetësore, shkruan Sinjali.

Klinika Gjermane e Syrit i ka vetëm katër mjekë të rregullt, të gjithë vendës. Çfarë ka gjermane kjo klinikë është softveri “Medistar”  i ruajtjes se të dhënave të pacienteve dhe materiali teknik për operime.

“Operatorët kryesor Dr. Minir Asani dhe Prof. Dr. Gabor Scharioth (anëtar i Odës së Mjekëve të Kosovës dhe i licencuar nga MSH ), janë me shtetësi gjermane, veprojnë në Gjermani dhe vijnë në baza mujore për konsultime dhe operime. Natyrisht që intenca e themeluesve ka qenë që të aftësohen mjeket tanë dhe te mos varemi gjithnjë nga mjeket gjermanë. Në këtë drejtim, në Klinike punojnë dhe operojnë edhe Dr. Valbon Ajazaj, Dr.Afrim Shabani dhe Dr. Ermal Dida si të përhershëm dhe Prof. Dr. Gazmend Kaçaniku me orar të shkurtuar ka theksuar për Sinjalin, Talat Gjinolli, Drejtor Ekzekutiv i Klinikës Gjermane të Syrit.

Nga ana tjetër, nga Spitali Amerikan në Kosovë as sot nuk janë deklaruar për këtë çështje, përkundër faktit që gazeta prej dje i ka dërguar pyetjet përmes emailit në adresë të këtij institucioni i cili ka parapëlqyer këtë formë komunikimi. Sinjali pas shikimit të uebfaqes së këtij spitali ka vërejtur se në stafin shëndetësor nuk është asnjë amerikan.

Lidhur me këtë çështje, Ministria e Shëndetësisë përmes Divizionit për Komunikim ka lajmëruar dje se pyetjet i janë përcjellë departamentit përkatës dhe se do të përgjigjen sapo t`i kenë të dhënat.   

Udhëzimi Administrativ për Licencimin e Institucioneve Private Shëndetësore, nuk përcakton kritere rreth emërtimit të institucioneve shëndetësore dhe kjo zbrazëtirë juridike është shfrytëzuar mjaftë mirë nga Spitali Amerikan dhe Klinika Gjermane e Syrit.

Shoqata e të Drejtave të Pacientëve, PRAK këtë dukuri e konsideron mashtrim ndaj pacientëve.

“Nëse marrim parasysh ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit, kjo mund të konsiderohet një praktikë ose reklamë mashtruese, sepse nuk tregohet drejtë origjina e një malli/shërbimi. Pa dyshim, kjo formë e “reklamës” bëhet me qëllim të tërheqjes së pacientëve dhe maksimizimit të fitimit nga ta. Përndryshe do përdoreshin emra të shteteve që kanë shëndetësi të pazhvilluar”, kanë thënë për Sinjalin drejtuesit e kësaj shoqate.

Derisa institucionet private shëndetësore proklamojnë shërbime të standardeve të larta mjekësore të mishëruara nga shtetet me mjekësi të avancuar, shumë qytetarë po detyrohen të kërkojnë shërim shëndetësor jashtë vendit duke paguar shuma të majme parash.

Kjo gjendje po vazhdon tash e dy dekada, që prej pasluftës si pasojë e politizimit të sistemit shëndetësor dhe mungesës së një reforme të mirëfilltë si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat.

Shëndetësia në Kosovë, mbase për shkak të gjendjes së rëndë të saj, po vazhdon të mbetet teren i përshtatshëm për mbledhje votash nga politikanët të cilët nuk ndalen së premtuari reforma. 

Së fundi, më i zëshmi në këtë drejtim është kryetari i PDK-së, Kadri Veseli ndonse partia e tij ka udhëhequr me vendin më shumë se një dekadë duke dështuar ta reformonte sistemin shëndetësor në vend. /Sinjali/