Që nga 26 gushti kur edhe u votua në Kuvendin e Kosovës Ligji për Parandalimin e Përhapjes së Koronavirusit e deri dje, janë shqiptuar plotë 114 mijë e 463 tiketa ndaj qytetarëve që nuk kanë respektuar masat antiCOVID, shkruan Gazeta Sinjali.
Por, siç duket ky ligj nuk vlen për ata që e kanë miratuar atë.
Kjo pasi, tanimë të gjitha partitë politike në një formë jozyrtare kanë filluar fushatën e tyre për zgjedhjet e reja parlamentare që do të organizohen më 14 shkurt.
Se a po i respektojnë masat mund të vërtetohet shumë lehtë, pasi janë vetë krerët e subjekteve politike që nëpërmjet fotografive të postuara në rrjetet e tyre sociale shihen me anëtarë partiakë e simpatizantë të mbledhur në ambiente të mbyllura, pa distancë fizike e sigurisht në shumicën e rasteve edhe pa maska.
Në takimet dhe tubimet e tyre vërehet bukur qartë një numër i konsiderueshëm i pjesëmarrësve, ndërsa politikanët që vazhdimisht bëjnë thirrje te qytetarët që t’i respektojnë masat e vendosura, janë të parët që nuk i përfillin.
Është vetë kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, i cili gjatë 24 orëve të fundit ka pasur takime me qytetarë të shumtë në Gjakovë, Suharekë, Malishevë, Dragash, Obiliq e Fushë Kosovë.
Hoti përmes fotografive të publikuara në rrjetet sociale nga këto komuna, shihet me një grumbull njerëzish duke mos respektuar masat e vendosura nga qeveria e tij.
Po ashtu edhe ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, përmes fotografive të postuar nga ajo apo kolegët e saj, ka njoftuar se ka vizituar Malishevën e Mitrovicën.
Në këto tubime shihen shumë persona apo simpatizantë që e kanë përkrahur atë në Iniciativën e re, por sigurisht, jo edhe duke i respektuar masat kundër koronavirusit.
Kurse, kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj, së fundmi ka vizituar komunën e Lipjanit, Klinës, Istogut dhe Pejës.
Ish-ministri i Punëve të Jashtme shihet me simpatizantët e subjektit të tij politik duke u mbledhur e mbajtur takime në lokale e restorante të ndryshme, me dhjetëra persona, disa me, e disa pa maska dhe gjithashtu duke mos e respektuar distancën fizike mes vete.
Keq sa i përket tubimeve nuk është as kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili ditët e fundit ka vizituar Prishtinën, Gjakovën e Pejën.
Përmes fotografive të postuar nga ish-kryeministri, vërehet një numër i madh i personave që po ashtu nuk kanë respektuar masat antiCOVID.
Por, në rastin e tij kjo nuk është një gjë e re, Gazeta Sinjali ka raportuar në vazhdimësi rastet kur Haradinaj është mbledhur me burra në oda e në fusha, pa respektuar asnjë masë.
Edhe Nisma Socialdemokrate ka filluar tubimet me anëtarët dhe simpatizantët e këtij subjekti politik.
Kreu i kësaj partie, Fatmir Limaj, përmes rrjeteve sociale ka njoftuar se ka vizituar qytetin e Malishevës dhe Lipjanit.
Normalisht edhe në tubimet e këtij subjekti nuk shihet se janë respektuar masat e Qeverisë së Kosovës.
Ndërsa, Lëvizja Vetëvendosje, nuk ka njoftuar se ka mbajtur ndonjë tubim apo takim me qytetarët që përkrahin këtë subjekt politik, përveç në fitoren e Shpejtim Bulliqit në Podujevë, ku qindra qytetarë kishin dalë për të festuar fitoren e tyre në zgjedhjet lokale.
Lidhur me këtë, Gazeta Sinjali është interesuar të marrë informacione nga të gjitha subjektet politike për numrin e tubimeve/takimeve që kanë mbajtur deri më tani, por nuk ka pranuar përgjigje nga asnjëra parti.
E sa i përket gjobave ndaj subjekteve politike që po i organizojnë këto tubime, vetëm Lidhjes Demokratike të Kosovës deri më tani i është shqiptuar një tiketë.
Sot, Inspektorati i Punës ka njoftuar se ka gjobitur LDK-në me 2 mijë euro, pasi kjo e fundit është mbledhur të hënën në Pjesën e “Qytetit të Vjetër” të Prishtinës.
Po ashtu, Inspekcioni në Prishtinë ka bërë të ditur se do t’u shqiptojë gjoba prej 2,000 eurosh secilit subjekt politik, për secilin tubim në kryeqytet.