image Sipas Blakajt, Kosova për momentin nuk mund ta padisë Serbinë për gjenocid - Sinjali

Sipas Blakajt, Kosova për momentin nuk mund ta padisë Serbinë për gjenocid

news image

Shteti i Kosovës po planifikon ta padisë Serbinë për gjenocid për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë. Kështu të paktën po deklarojnë kryeministri Albin Kurti, dhe presidentja Vjosa Osmani.

Por, Bekim Blakaj, nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, tha se aktualisht Kosova nuk do të mund ta bëjë padinë për gjenocid ndaj Serbisë.

Duke analizuar përvojën e vendeve tjera, sidomos të atyre nga ish-Jugosllavia për padi për gjenocid, kam frikë që Kosova në këto momente nuk mund të bëjë padi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, sepse nuk ka një ulëse në OKB. Ka mundësi të tjera. Tash së voni është përmendur një shtet mund ta bëj këtë në emër të Kosovës. Nuk e di se a do ta bëj Shqipëria këtë. Është e vështirë që në një proces gjyqësor i cili ka zgjatur 12 apo 13 vjet të dëshmohet gjenocidi”, tha Blakaj për Klan Kosova.

Blakaj tha se gjenocidi do të jetë i vështirë të dëshmohet para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Sipas tij nuk ka ende ndonjë informacion nëse institucionet e Kosovës kanë nisur të mbledhin informacione lidhur me krimet serbe në Kosovë.

Ai theksoi se provat duhet të jenë të dëshmueshme para gjykatës.

“Krimet që kanë ndodhur në Kosovë janë të tmerrshme, ka elemente të gjenocidit gjithandej, por kjo do të jetë e vështirë të dëshmohet para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Padia për gjenocid është përmendur edhe nga përfaqësuesit e tjerë, nga presidenti Thaçi dhe të tjerët. Kjo zakonisht është përmendur para zgjedhjeve apo fushatave zgjedhore”.

“Unë nuk kam ndonjë informacion që ndonjë institucion ka filluar të mbledh prova për të dëshmuar gjenocidin. Kjo deklaratë ishte disi si e pamatur. Nuk mund ta ftojmë gjykatën dhe t’i themi eja dhe shiko se çka ka ndodhur në Poklek. Sepse krimet makabre kanë ndodhur edhe në Poklek, por edhe në shumë pjesë të tjera, ku kanë pësuar fëmijët. Por, këto nuk janë prova para gjykatës”, tha Blakaj.

/Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin

Etiketat kryesore: