Derisa po shënohet sot Dita Botërore për Parandalimin e Abuzimit të Fëmijës, nga të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës thuhet se mbi 70% e fëmijëve kanë përjetuar lloje të ndryshme të disiplinimit të dhunshëm.
Sipas një njoftimi për media Qendra për Arsim e Kosovës dhe Qendra për Studime të Avancuara me moton “Fëmijëri e lumtur”, përmes projektit “Së bashku kundër abuzimit të fëmijës – TACA” për të tretin vit radhazi janë duke zhvilluar fushatën për të rritur ndërgjegjësimin në lidhje me abuzimin dhe dhunën ndaj fëmijës.
“Qëllimi është që të fuqizohen organizatat dhe mediat të marrin përgjegjësinë për problemin e abuzimit të fëmijës, duke ofruar njohuri mbi rrjetin mbrojtës dhe mundësi alternative për mbrojtjen e fëmijës në situata të cenueshme. Të dhënat nga Agjencia e Statistikave të Kosovës tregojnë se mbi 70% e fëmijëve kanë përjetuar lloje të ndryshme të disiplinimit të dhunshëm. Arsyet kryesore lidhen me mungesën e njohurive të disiplinimit pozitiv, probleme sociale, emocionale etj”, thuhet në njoftim.