image Edhe një kërkesë për ta shtyrë, a po dështon regjistrimi i popullsisë këtë vit?

Kosovë

Edhe një kërkesë për ta shtyrë, a po dështon regjistrimi i popullsisë këtë vit?

news image

Zëvendëskryeshefi i Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), Ilir Berisha, ka thënë se ka dërguar kërkesë në Qeveri që procesi i regjistrimit të popullsisë të shtyhet deri në prill të 2024-ës, për shkak të sfidave që është përballur ky institucion.

Këtë e ka bërë të ditur gjatë raportimit të premten në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere.

Berisha ka thënë se sfidat e këtij procesi janë mungesa e tabletave, trajnimi i stafit si dhe procesi i regjistrimit në komunat veriore.

Ai ka thënë se si ASK janë duke paraparë që regjistrimin përveç me metodën e tabletave, ta bëjnë edhe me dy metoda të reja duke përfshirë këtu edhe regjistrimin online përmes e-Kosovës.

“Jemi vone me testim e tablateve, kjo pasi kompania fituese ka dështuar që t’i sjellë tabletat më kohë, për këtë kemi shkëputur kontratën me atë kompani. Kemi nënshkruar marrëveshje me një kompani të re e cila brenda 14 dite do t’i sjell tabletat. Tabletat duhet të jenë se paku një muaj përpara datës së fillimit të regjistrimit, ne ende nuk i kemi. Trajnimi do të bëhet me tableta, ne po tentojmë që regjistrimi të mbaroj në këtë vit. Sfidat janë këto, mungesa e tablateve, stafi në teren dhe një çështje tjetër që ne e kemi cekur vështirësitë në katër komunat veriore për shkak të ngjarjeve të 24 shtatorit, pasi sipas rekomandimeve në vendet ku situatat nuk janë të qetë nuk preferohet të bëhet regjistrimi”, tha ai.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka pyetur kryeshefin e ASK-së se si do të bëhet regjistrimi për anëtarët e familjeve që janë në jashtë vendit dhe si do të regjistrohen shtëpitë që janë mbyllur.

Ai po ashtu ka pyetur Berishën nëse ky proces do të filloj në nëntor, pavarësisht sfidave që i përmendi.

Berisha tha se për ta është paraparë plotësimi i një formulari të veçantë po ashtu edhe mundësi që ata të regjistrohen edhe online.

Por sipas tij për diasporën të dhënat nuk do të jenë të sakta 100 për qind.

“Ata do të regjistrohen me një formularë të veçantë. Regjistrohet si shtëpi e pa banueshme. Ne kemi parapa që ata të regjistrohen edhe online, jemi në bashkëpunim me Ministrin e Punëve të Jashtme. Thirrjet për këto do të jenë publike. Ne konsiderojmë që për popullsinë jo rezidente për diasporën tonë nuk do të arrijmë që të jemi të saktë 100 për qind”.

Berisha duke ju përgjigjur deputetit Hoti tha se kanë dërguar kërkesën për të shtyrë datën e regjistrimit të popullsisë.

“Kemi dërguar kërkesën që të shtyhet data e fillimit të regjistrimit. Propozimi dërgohet por vendimi merret nga qeveria”, u shpreh Berisha.

Hoti tha se është për keqardhje që ky proces të dështoj për shkak të tabletave.

Kritika për vonesa, pati edhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mergim Lushtaku. Ai tha se këto shtyrje po tregojnë se regjistrimi i popullsisë nuk do të bëhet sipas standardeve evropiane.

“Metoda që ju po e përmendni është vetëm farsë dhe nuk tregon seriozitet as nga Qeveria as nga ju si ASK. Dikush duhet që të jap përgjegjësi për këtë”, tha ai.

Ndërsa Berisha tha se kanë kërkuar që regjistrimi i popullsisë të fillojë në prill të vitit të ardhshëm.

Sipas tij me metodën që është paraparë që të filloj regjistrimi i popullsisë me tabletë është e pa mundur që procesi të filloj me 1 nëntor, por sipas tij, ASK është duke shikuar metoda të tjera që të fillojë këtë proces./EO/

/GazetaSinjali/